Agjencia Zhurnal.mk

Kush janë forcat sekrete Kuds të Iranit, që i udhëhiqte gjenerali i vrarë nga Amerika

Vitin e kaluar, Presidenti amerikan Donald Trump, e përfshiu Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në listën e organizatave të huaja terroriste.

Kjo ishte një lëvizje e paprecedent dhe shënoi herën e parë që Shtetet e Bashkuara përcaktuan zyrtarisht si terroriste ushtrinë e një vendi tjetër. Ekspertët thanë atëherë se vendimi do të rriste në një nivel më të lartë tensionet në marrëdhënien mes të dy vendeve.

Por, çfarë përfaqëson kjo njësi ushtarake?

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), e njohur ndryshe në Iran me emrin “Pasdaran”, u themelua në prill të vitit 1979, pak pas Revolucionit Islamik dhe rrëzimit nga pushteti të monarkut pro-perëndimor të Iranit, Mohammad Reza Shah Pahlavi.

Detyra themelore e IRGC-së, e përcaktuar nga Udhëheqësi Suprem Ayatollah Khomeini, është të mbrojë sistemin islamik të vendit dhe vlerat revolucionare.

Në parim, shteti iranian mund të vetë-reformohet përtej limiteve të parashikuara nga revolucioni, megjithë parashikimet e shumta kushtetuese që Khomeini ka përcaktuar, për të vendosur mbikqyrjen e klerikëve mbi qeverisjen e zgjedhur”, thotë Brad Patty, ish-këshilltar dhe analist i ushtrisë amerikane. “Në praktikë, Garda ekizston për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhë kurrë. Popullsia e Iranit mund ta dëshirojë këtë gjë, por ata janë të destinuar të jetojnë nën terrorin e Gardës”.

Struktura e Gardës

Të premten, IRGC-ja është shndërruar në një lojtar kryesor ushtarak, politik dhe ekonomik në Iran. Anëtarësia e saj vlerësohet në 150 mijë ushtarakë, me njësi tokësore, detare dhe ajrore. Garda mbikqyr edhe programet e raketave balistike dhe programet bërthamore të Iranit.

Nga pikëpamja organizative, IRGC-ja është nën Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes. Por, ushtria mbetet vartëse e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, ndërkohë që autoritetet civile nuk ushtrojnë ndonjë kontroll real, sipas organizatës për politikat ndërkombëtare Projekti për Përballjen me Ekstremizmin.

Brenda vendit, Garda komandon edhe Forcat e Rezistencës Basij, një grup fetar vullnetarësh, që shpreh mbështetjen popullore për regjimin dhe shtyp disidencën vendase. Kjo njësi paraushtarake monitoron zbatimin e rregullave strikte të vendit. Ata arrestojnë p.sh. gratë që shkelin kodet e veshjes të përcaktuara nga regjimi dhe kryejnë bastisje të festave të stilit pro-perëndimor ku mund të jetë shërbyer alkool.

Në vende të tjera, Garda përdor njësinë e saj të errët Forcat Quds, që udhëhiqeshin nga Gjeneral Major Qassem Soleimani, si dhe milicitë shiite, siç është organizata Hezbollah në Liban, për të shtrirë influencën në mbarë Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Aktivistët dhe lidhjet ndërkombëtare

Forcat elitë Quds u krijuan gjatë Luftës Iran-Irak, në vitin 1980 dhe kanë një personel prej rreth 15 mijë vetash.

Ky grup është përfshirë në konfliktet e Lindjes së Mesme prej dekadash, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose duke ofruar mbështetje për milicitë dhe qeveritë pro-iraniane, në veçanti në Liban, Siri, Irak, Jemen, si dhe në territoret palestineze dhe në Afganistan.

Rishtazi, Forcat Quds ishin vendimtare në luftën civile siriane, duke i dhënë mbështetje Presidentit Bashar al-Assad, në përballje me rebelët.

Në Irak, ky grup luajti një rol kyç duke ndihmuar qeverinë e dominuar nga shiitët në luftën kundër ISIS-it dhe duke sabotuar projektin kurd për pavarësi.

Forcat Quds mendohet se gjithashtu mbajnë gjallë përpjekjen e rebelëve huthi që luftojnë kundër qeverisë së njohur ndërkombëtarisht në Jemen.

Sanksionet ndërkombëtare

Shtetet e Bashkuara i përcaktuan Forcat Quds mbështetëse të terrorizmit që në vitin 2007. Një veprim të ngjashëm ndërmori Kanadaja në vitin 2012. Arabia Saudite dhe Bahreini, dy vende fqinje rivale të Iranit, e përcatuan Gardën entitet terrorist në vitin 2018.

Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shmangur shpalljen e Gardës entitet terrorist, por kanë futur në listat e zeza individët kryesorë të kësaj force, ndër ta edhe ish udhëheqësin Qassem Soleimani.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...