Getting your Trinity Audio player ready...
|
Athinë, 6 maj – Kemi bashkëpunim të frytshëm me Greqinë dhe në atë drejtim do të vazhdojmë, si në sferën e forcave speciale, ashtu edhe në sferën e forcave konvencionale. Greqia është mbështetësja jonë e madhe në shumë baza, thotë shefi i Shtatmadhorisë së Armatës gjeneral major Sashko Lafçiski, gjatë pjesëmarrjes së tij në Panairin Ndërkombëtar për Mbrojtje dhe Siguri DEFEA 25, që prej sot e deri të enjten mbahet në Athinë.
Shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, mori pjesë në hapjen solemne të Panairit në të cilin mes tjerash foli edhe ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, i vizitoi tendat e ekspozuesve, ndërsa pasdite do të realizojë takim me homologun e tij grek, shefin e Shtatmadhorisë së forcave të armatosura të Greqisë, Dimitrios Hupis
Kjo është pjesëmarrja e parë e gjeneral – major Lafçiski në Panairin Ndërkombëtar për Mbrojtje dhe Siguri që mbahet çdo dy vjet, ndërsa thekson se në Athinë është me ftesë të shefit të Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Greqisë.
“Bëhet fjalë për një panair të madh, nga informacionet që morëm në paketën përgatitore, do të prezantohen 436 kompani nga 37 vende. Fokusi ynë do të jetë në atë që lidhet me zhvillimin dhe modernizimin e Armatës, para së gjithash, do t’u jap përparësi kompanive që do të ekspozojnë produktet e tyre nga domeni i forcave konvencionale, dhe sigurisht nga domeni i sistemeve të komunikimit dhe informacionit, kështu që pres që të kemi një ditë të frytshme, sot, por edhe nesër, në mënyrë që të njihemi me të rejat dhe në cilin drejtim po lëvizin kapacitetet mbrojtëse”, thekson shefi i Shtatmadhorisë së Armatës.
Pasdite do të takohet me shefin e Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Greqisë, Dimitrios Hupis, në të cilin, siç theksoi për MIA-n, para së gjithash do ta falënderojë për ndihmën greke pas zjarrit tragjik në diskotekën në Koçan.
“Mes tjerash, pres të jetë mysafir i imi tashmë muajin e ardhshëm, ku edhe zyrtarisht do ta falënderoj për ndihmën e ofruar për ngjarjen tragjike në Koçan”, theksoi gjeneral major Lafçiski.
Zbuloi se në takimin e sotëm, përveç për përshtypjet nga vetë panairi, do të bisedojnë edhe për bashkëpunimin e deritanishëm në nivel dypalësh, por edhe në kuadër të Aleancës NATO dhe në organizatat e tjera prej të cilave janë pjesë edhe të dyja vendet.
“Gjatë këtij muaji, pas takimit të komitetit tonë ushtarak në Bruksel, do të marrim pjesë së bashku në konferencën B9, e cila organizohet nga shefat e Shtatmadhorive nga Evropa Juglindore. Ne kemi një bashkëpunim të frytshëm.
Në këtë kontekst dhe në atë drejtim, bashkëpunimi ynë do të vazhdojë, si në fushën e forcave speciale ashtu edhe në atë të forcave konvencionale. Greqia është mbështetësja jonë e madhe në shumë aspekte dhe sigurisht që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, theksoi Lafçiski.
Në bisedën për MIA-n, shefi i Shtatmadhorisë foli edhe për stërvitjet ushtarake ndërkombëtare, duke paralajmëruar të ardhshmen në të cilin shteti ynë do të jetë nikoqir.
“Në fund të majit dhe fillim të qershorit, në poligonin e stërvitjes ushtarake në Krivolak do të organizohet një stërvitje e madhe ndërkombëtare, e organizuar nga forcat e armatosura të SHBA-së për Evropën, ku Armata jonë do të jetë nikoqire. Përveç Armatës dhe forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të marrin pjesë edhe shtete të tjera anëtare dhe partnere të NATO-s, përfshirë forcat e armatosura të Greqisë, kështu që do të jetë një mundësi e shkëlqyer që edhe shefi i Shtatmadhorisë së forcave të armatosura të Greqisë të jetë pjesë e kësaj Dite për Mysafirë të Lartë që do të mbahet më 2 qershor”, sqaron gjeneral major Lafçiski.
Athina çdo dy vjet është nikoqire e Panairit Ndërkombëtar të Mbrojtjes DEFEA 2025, ndërsa këtë vit do të mbahet nga 6 deri në 8 maj me pjesëmarrjen e 436 ekspozuesve nga 37 vende, 18 pavijoneve ndërkombëtare nga lojtarë kryesorë globalë, 98 delegacioneve zyrtare nga ministritë e mbrojtjes dhe forcat e armatosura, dhe qindra kompanive kryesore të mbrojtjes dhe sigurisë nga e gjithë bota, të cilët do të prezantojnë teknologji, sisteme dhe zgjidhje të përparuara në fushat tokësore, detare, ajrore dhe kibernetike.