Dy të burgosur që ishin duke vuajtur dënimin në institucione të tipit të hapur janë larguar, të njëjtit tashmë janë në kërkim nga policia.
Lidhur me rastin, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani tha se janë duke zhvilluar hetime të brendshme, transmeton Telegrafi.
Para mediave, Dibrani tha se i dënuari Faton Hajrizi ka qenë i dënuar më vendim unik prej 25 vitesh.
Për të larguarin e dytë, Dibrani tha se ka qenë i dënuar me 11 vite burgim.
“I dënuari tjetër, ka qenë i dënuar më 11 vite burgim. I njëjti në janar të vitit 2024,ka fituar të drejtën ligjore për shfrytëzim të vikendit në shtëpi”, potencoi ai, duke shtuar se të dënuarit që punojnë në hapësirat e Qendrës Korrektuese Dubravë, punojnë pa përcjelljen e stafit, pasi kanë shfaqur sjellje të mira.
Ndërsa, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se dy të larguarit sapo të kapen nga policia do të kthehen në institucione të tipit të mbyllur dhe se do të humbin të gjitha privilegjet.
“Janë larguar nga tipi i hapur, të njëjtit i humbin të gjitha privilgjet që kanë pasur dhe do të kthehen në institucionet e tipit të mbyllur. Po ashtu ndaj të larguarve do të iniciohet procedurë penale, sepse me largimin e tyre kanë konsumuar vepër penale të re. Largimi nga institucionet e tipit të hapura, ka pasur edhe në të kaluarën dhe mund të ketë edhe në të ardhmen. Inspektorati i Ministrisë së Dritësisë gjendet në vendin ngjarjes duke kryer inspektime, sapo të marrim raportim do të marrim veprime adekuate”, potencoi mes tjerash ai.
Ndryshe, i larguari Faton Hajrizi është shfaqur disa herë në “TikTok”, ku ka treguar pakënaqësitë e tij lidhur me trajtimin që i është bërë.