Agjencia Zhurnal.mk

Lazim Destani bisedon me Komisionarin Hahn për investimet në Ballkan

Vjenë, 20 Maj, Zhurnal.mk – Themeluesi i korporatës ndërkombëtare Ecolog International dhe filantropi Lazim Destani sot ka pasur bisedime me Komisionarin Evropian Johannes Hahn dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në Vjenë të Austrisë, në kuadër të një forumi organizuar në kryeqytetin austriak për investimet në Maqedoni të Veriut.

Sipas një komunikatë për shtyp Destani në bisedimet e zhvilluara me Hahnin, Zaevin dhe pjesëmarrës të tjerë në forumin ekonomik të Vjenës : “Vienna Economic Talk – Perspektiva të reja për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ka ftuar për përmirësimin e mëtejmë të ambientit për investime jo vetëm në Maqedoni të Veriut por dhe nëpër tërë rajonin.

“Unë kam besuar gjithmonë se rajoni i Ballkanit është një burim i pashfrytëzuar”, citohet nga zyra e tij për shtyp të ketë thënë Destani sot në Vjenë.

“Ne duhet të sigurojmë kushte të duhura për ta inkurajuar rritjen dhe zhvillimin e rajonit dhe këtë e shikoj si mënyrën më të përshtatshme për t’i mbajtur aty talentet tanë më të mirë, nga çdo sektor i shoqërisë. Kjo përfshin artet, biznesin dhe teknologjinë”, ka Lazim Destani.

Ai ka vënë theks të veçantë në rëndësinë që kanë investimet për parandalimin e largimit të të rinjve nga vendet e tyre

“Ne duhet të sjellim garanca se ekzistojnë mundësitë që për rininë tonë t’i shmangim kurthet e ‘ikjes së trurit’”, ka thënë Destani sipas komunikatës për shtyp, i cili forumin e sotëm në Vjenë e cilësoi si një hap të duhur në këtë drejtim për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

“Ky forum që përqendrohet tek ‘Perspektivat e Reja për Republikën e Maqedonisë së Veriut’ është një projekt për llojin e bashkëpunimit e për diskutimet që ne duhet të kemi për t’ia arritur qëllimit. Fakti që në këtë Forum marrin pjesë së bashku Kryeministri dhe Ministri i Financave nga Maqedonia e Veriut si dhe Komisionari i BE-së për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe për Zgjerim, demonstron rëndësinë e kësaj marrëdhënie për Evropën në tërësi”, ka thënë ai.

Takimi i sotëm në Vjenë i Destanit me Zaevin bëhet pak ditë pasi që të dy u takuan në Tetovë, gjatë të cilit po ashtu u biseduan mundësitë për investimet në vend.

Forumi i sotëm në kryeqytetin austriak dedikuar enkas për Maqedoninë e Veriut u mbajt nën organizimin e A1 Telekom Austria Group.

Nga qeveria e Maqedonisë, pos Zaevit aty ishte edhe Ministri i Financave Dragan Tevdovski, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi si dhe Ministri i Ekomonisë Koço Angjushev.

Në këtë forum gjithashtu morën pjesë, Presidenti i Forumit Ekonomik të Vienës Gunther Rabensteiner, Presidenti i A1 Telekom Austria Group Thomas Arnoldner, ambasadorë e diplomatë të shumtë, përfaqësues nga Banka Botërore si dhe përfaqësues të Rrjeteve të biznesit, e ndër ta edhe gjigantët e fotografisë dhe teknologjisë Canon, prodhuesi industrial Siemens, apo edhe ndërmarrja e ndërtimit Bouygues.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, pas përfundimit të krizës së brendshme politike të viteve 2015-2016 ka filluar që të përqendrohet në tërheqjen e investimeve të huaja. Forumi i sotëm i mbajtur në Vjenë është pjesë e aktiviteteve që qeveria e vendit është duke ndërmarrë për tërheqjen e investimeve të huaja.

Për këtë vit qeveria e Zaevit tashmë ka paralajmëruar 1.1 miliardë Euro investime të huaja.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...