Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka filluar me mbajtjen e tubimeve në disa qytete të Kosovës, ku përmes të cilave ka prezantuar disa nga emrat që do jenë pjesë e listës për deputet në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Në mesin e këtyre emrave nga LDK-ja që do të kandidojnë për të zënë një ulëse në Kuvendin e Kosovës, ka profesorë, doktorë, kryetarë e nënkryetarë komunash, deputetet e tanishëm, e shumë figura të ndryshime politike.
“Turneun e Ndryshimit”, Lidhja Demokratike e Kosovës e nisi në Prishtinë, ku nga aty kreu i kësaj partie Lumir Abdixhiku tha se “në kryeqytet, nisëm rrugëtimin tonë plot shpresë!”.
“Nga sonte qëndrojmë të bashkuar! Nga sonte qëndrojmë të fortë! Nga sonte dalim me bindje të plotë se ‘Ne jemi ndryshimi’ për Kosovë!” – kishte shkruar ndër të tjera Abdixhiku.
I pari i LDK-së ka prezantuar 20 emra të cilët do të jenë pjesë e listët për deputet.
Sipas Abdixhikut, duke i renditur sipas alfabetit këta janë emrat që vijnë nga Prishtina.
“Alban Zogaj, Arben Gashi, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Doarsa Kica-Xhelili, Donjeta Dragusha, Doruntinë Maloku, Ema Nikçi-Rexha, Fadil Aliu, Fiknete Bejta, Florian Dushi, Hykmete Bajrami, Ismet Beqiri, Izet Sadiku, Jehona Lushaku-Sadriu, Jeta Rafuna, Krenar Xhaferi, Sibel Halimi, Sokol Havolli, Vlora Dumoshi.”
Pas Prishtinës, LDK me “Turneun e Ndryshimeve”, të premten zbarkoi në Viti, nga aty bëri të ditur se kreu i kësaj komune, Sokol Haliti do të jetë pjesë e kësaj liste.
Së bashku me Halitin, emrat të tjerë që zyrtarizuan dje në tubim janë edhe Lumbardh Salihu dhe Marigona Geci.
“Me Turneun e Ndryshimit vazhduam sonte në Viti! Aty, me Kryetarin Sokol Haliti, takuam shumë qytetarë të Vitisë që po bëheshin vet ndryshimi! Po bëheshin vet shpresa e një shteti tek i cili besojmë fort! I lumtur dhe plot shpresë me entuziazmin e madh që nisi dje në Prishtinë e vazhdoj sot në Viti. Sokol Haliti do të jetë pjesë e listës për deputet; sepse në zgjedhjet e 9 shkurtit, LDK hyn me ekipin më të mirë të vet!” – ka shkruar kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Gjatë ditës së shtune, LDK vazhdoi për në Pejë, ku edhe nga ky qytet u treguan emrat e pjesëmarrësve në listën për deputetet.
Sipas Abdixhiku, kreu i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, do të jetë pjesë e kësaj liste.
Së bashku me Muhaxherin nga Peja do te jenë edhe “Akademik Kujtim Shala, Fatmir Asllani, Xhenet Syka, Albulena Mujaj-Bajraktari, Sadri Berisha, Rexhep Kurtbogaj dhe Besa Gaxherri.”
“Po qëndrojmë mes njerëzve tanë, këtu në Kosovë, në çdo qytet e çdo anë, për të shtruar dorën e bashkimit e thirrjen e ndryshimit! Po qëndrojmë me atyre që janë lodhur duke i pritur mundësitë e premtimet që nuk ju vijnë; mes atyre që janë shterur nga shpresa e udhëheqësve që flasin por s’japin asnjë rezultat. Njerëzit e Kosovës janë lodhur nga ndenja e braktisjes.” – ka shkruar Abdixhiku.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se slogani për fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, është “Bëhu ndryshimi”.