Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

Leskaj: Ligjet abuzive, shteti mund të shembë ose rrëmbejë çdo pronë në bregdet

Të gjithë të rrezikuar që të mos e gëzojnë pronën e tyre. Pronarët e ligjshëm, ata që kanë përfituar nga legalizimi, por edhe ata që kanë ndërtuar pa leje. Qeveria me anë të ligjeve i jep të drejtën vetes të shembë çdo godinë, me leje apo pa leje qoftë në emër të investitorëve strategjikë, që s’janë gjë tjetër vetëm se biznesmenë të afërt me të që kërkojnë të rrisin fitimet. Në mënyrë të njëanshme qeveria kaloi në pronësi të saj 16 milionë metra katrorë bregdet, duke iu mohuar pronën mijëra familjeve të zonës. Flet për gazetën MAPO ish-kryetari i KLSH Bujar Leskaj

Ish-kreu i KLSH, Bujar Leskaj, sot drejtues politik për qarkun e Vlorës, e njeh mirë çështjen. Ai thotë se të gjitha ligjet janë bërë në dëm të banorëve dhe nga ato rrezikohet t’iu merret prona dhe atyre që i kanë legalizuar tashmë godinat e tyre. Leskaj thotë se këto ligje janë të ngjashme me ato të diktaturës që nuk njohin pronësinë mbi tokën ose pronën. Sipas Leskajt ata duhet ta gëzojnë pronën e tyre në bazë të ligjit dhe parimeve kushtetuese, ndërsa shpronësimet atëherë kur është e nevojshme duhet të bëhen me çmim të drejtë dhe të arsyeshëm.

Me anë të një vendimi të qeverisë (Nr. 708, datë 21.11.2018), rreth 16 milionë metra në Jug i kanë kaluar në pronësi Ministrisë së Turizmit. Në bazë të këtij vendimi banorët nuk lejohen të regjistrojnë pronat e tyre. A mund të themi se ky është një shtetëzim i dytë i pronës?

VKM nr. 708, datë 21.11.2018 “Për regjistrimi dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë përgjegjëse për Turizmin të disa pronave të paluajtshme shtetërore në vijën bregdetare Vlorë-Sarandë” është një akt nënligjor i nxjerrë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e RSH dhe Kodin Civil. Si Kushtetuta ashtu edhe KC kanë të përcaktuar qartazi në dispozitat konkrete të tyre që prona mund të kalojë në favor të shtetit, por vetëm nëpërmjet procesit të shpronësimit për interes publik dhe kundrejt një shpërblimi të arsyeshëm dhe të drejtë. Në rastin konkret miratimi dhe zbatimi i VKM ka vendosur shtetin në të njëjtat qëndrime sikurse 30 vjet më parë duke e kthyer në komunizëm, duke mos njohur pronësinë mbi pronën dhe duke mos respektuar ish-pronarët apo pronarët legjitimë të tyre, i ka shtetëzuar pa i shpronësuar ato. Në referim të ligjit nr.8651, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pronës private për interes publik”, pronarët e ligjshëm që kanë titull pronësie duhet ta gëzojnë të pacenuar pronën ose të shpronësohen me çmimin e tregut, në përputhje me parimet kushtetuese dhe ligjin. Një problem tjetër është se VKM ka përcaktuar se një pjesë e pronave janë pasuri shtet, kur në fakt Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk e disponon plotësisht këtë informacion mbi statusin ligjor të pronësisë të vijës bregdetare ndërkohë që ende është duke vijuar me procesin e regjistrimit fillestar të titujve të pronësisë, pra nuk disponon ligjërisht të dhëna mbi titujt e pronësisë, pronarët dhe sipërfaqet e pronës në pronësi të privatëve. Po ashtu nuk disponon të dhëna edhe mbi pretendentët pronarë të cilët të drejtën e pronësisë e kanë kërkuar në gjykatë, procedurë kjo pas mbylljes së procesit të njohjes së pronës ish-pronarëve nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës.

Ligji 20/2020 për kadastrën cilëson qartë se nuk lejohet legalizimi në territore të destinuara për “investime strategjike”. Neni 18 pika 2 shprehet se “Ndërtimet pa leje që cenojnë kriteret e mësipërme nuk legalizohen. Ato regjistrohen në bazën e të dhënave vetëm për efekt njohjeje të vlerës së investimit të ndërtimit”. Kjo mos do të thotë që qeveria ka të drejtë të marrë pronën e palegalizuar ose dhe ta shembë atë kur e cilëson të nevojshme këtë?

Është një ligj haptazi antikushtetues, pasi nuk mundet që një institucion i vetëm, edhe të krijojë/prodhojë tituj pronësorë edhe të bëjë shpronësime “për interesa publikë” edhe të bëjë regjistrime. Për rastin konkret jemi para konfliktit të kompetencave si dhe mungesës totale të elementeve të kontrollit. Ky ligj është ankimuar në Gjykatë Kushtetuese nga ish-pronarët të cilët janë të parët që cenohen nga zbatimi i tij. Po ashtu ligji është kundërshtuar edhe nga Presidenti i RSH.

Duke pasur parasysh se ligji për këto territore, i jep të drejtë shtetit të ndërhyjë dhe në pronat e trashëguara ligjërisht, duke i kompensuar në bazë të ligjit të pronave, mos do të thotë se të njëjtin fat mund të kenë dhe ndërtimet e legalizuara?

Në lidhje me fatin e pronave të legalizuara apo jo, po këtë fat mund të kenë të gjitha ato prona, pavarësisht mënyrës së fitimit të tyre, të cilat mund të merren nga shteti në çdo moment duke përdorur si shkak “investimet strategjike në fushën e turizmit”. Kujtoj këtu auditimin e bërë nga KLSH nga ku është konstatuar se në zonën e Jalës, shteti i ka dhënë një investitori vendas, nën petkun e investitorit strategjik sipërfaqe të mëdha toke, pa marrë parasysh ekzistencën ose jo të titujve të pronësisë, e për më tepër në kushtet kur investimet nuk i shërbejnë interesit publik por interesave financiarë të përfituesve/investitorëve.

Postime të ngjashme

Përhapja e zjarreve/ Rama nxjerr videon: Zmbrapset furia e flakëve drejt Llogarasë

D V

Shqipëria kërkoi ndihmë, Holanda dërgon dy helikopterë dhe 47 ushtarë

D V

Kryebashkiaku i Gjirokastrës: Nëse është e nevojshme do të përdorim forcën për evakuimin e banorëve

D V

Shqipëri, ​99 raste të reja me COVID-19

D V

Vlorë, banesa përfshihet nga flakët

D V

Zjarret, BE dërgon 2 helikopterë drejt Shqipërisë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...