Agjencia Zhurnal.mk
Kulturë

Letra e Dritëro Agollit për Sadijen 10 ditë para dasme: Meqë të njoh aq mirë, nuk më duket e çuditshme dita e dasmës

Në korrik të vitit 1965, ata u lidhën në martesë. Më në fund ‘e kandisi’ta merrte në shtëpi shkodranen. Vetëm 10 ditë përpara dasme, Dritëro Agolli i shkruan të dashurës së zemrës. Këtë letër ua risjell Gazeta Metro, në ditën dedikuar kujtimit të tij.

Letra:

E dashur Sadije! Sa u ktheva nga Korça. S’më besohet se kanë mbetur edhe 10 ditë gjer në dasmë.
Unë këtej kam bërë të gjitha përpjekjet që të kalojmë mirë verën. Mua më dhanë një herë një fletë kampi për në Pogradec, po duhet të niseshim më datë 24 qershor, d.m.th. sot. Natyrisht që ishte një gjë që s’bëhej. Atëherë shokë e miq ndërhynë dhe ne do të shkojmë në Durrës më 9 korrik në shtëpinë e pushimit ose të Kryeministrisë, ose të Oficerëve.

Ti duhet të marrësh një vërtetim nga qendra jote e punës që je në punë. Bëje gati, se vij e marr të shtunën. Unë do vij të të marr me maqinë angazhe e vishu si të duash e si të jetë më mirë. Ti kujton se unë nuk kam qejf që ti të vishesh me të bardha? Këtë radhë më ka marrë malli shumë për ty. Po ti e ke patur fajin pasi nuk donje të të vinja unë në Shkodër meqë kishin mbetur kaq pak ditë nga martesa! Gjepura! Të shtunën do vi e ti do më presësh. Mbarove shkollën? Xhelali a erdhi? Unë jam i bindur që ty plazhi do të të pëlqejë. Në njëzetedy ditë apo një muaj do të bëhesh korb e zezë. Vetëm duhet të ruash lëkurën e hundës se mos mbetesh me lëkurë të ngrënë në hundë, dhe ti e di sa rëndësi ka hunda, sidomos për seksin e bukur! O hundë, e bekuar! Kam shkruar një cikël me vjersha për fëmijë dhe nesër botohet në “Mësuesi”.

Vjersha të tilla ti kurrë nuk ke lexuar. Për herë të parë shkruaj për fëmijë, siç duket, ti së shpejti do na skalitësh ndonjë azuratino! Tani në prag të dasmës ti nuk shkruan. Nuk vete në postë, siç mendoj unë. Kush e di sa e hutuar dhe e emocionuar je! Edhe unë i emocionuar jam, po meqë jam aq i afërt me ty dhe të njoh aq mirë, nuk më duket e çuditshme dita e dasmës.

Të dua shumë, shumë.
Të puth fort
Yti Dritëro
24.VI.1965 / GazetaMetro

Postime të ngjashme

“Shqiponjat” marshojnë në Shkup! Qindra motoçikleta vërshojnë rrugët

D V

Blerim Bexheti: Komuna e Sarajit çdoherë do mbështesë aktivitetet kulturore

R Zh

Koncert i Inva Mulës dhe Genc Tukiqi sonte në “Verën e Ohrit”

D V

Katër artistë bëhen bashkë për ti kënduar Shkupit

R Zh

Biblioteka e Natyrës, ideja e bukur e të rinjve korçarë për të përqafuar botën e letërsisë

D V

Folk Fest trazoi atmosferën e Shkupit

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...