Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Lëviz anija që ka bllokuar Kanalin e Suezit

Anija gjigande që ka bllokuar Kanalin e Suezit ka lëvizur sot për herë të parë që prej nisjes së krizës, njoftuan autoritetet, të cilët shtuan se ka shpresa që kalimi të lirohet ndoshta brenda javës.

Transportuesja me flamur panamez Ever Given, ka ngecur në cekësirë prej të martës duke bllokuar kalimin e rëndësishëm të tregtisë botërore. Përpjekjet e sotme të kanë rezultuar në zhvendosjen e pjesës së pasme të saj, por puna e mëtejshme është penguar nga erërat e forta dhe ardhja e baticës, thanë autoritetet.

Kreu i Autoritetit të Kanalit të Suezit, Osama Rabie tha se shpresonte që puna të vijonte pa pasur nevojë që anija të zbrazet nga rreth 18,300 konteinerët e mallrave që ajo transporton.

Ai tha për mediat: “Pjesa e pasme e anijes është zhvendosur në drejtim të Suezit, dhe kjo ishte një zhvillim pozitiv deri pranë mesnatës së djeshme, kur nisi rënia e baticës dhe ne u detyruan të ndalonim. Ne presim që në çdo moment anija të rrëshkasë nga pika ku ndodhet aktualisht”.

Sonda gjigande të instaluara dje pranë transportueses, kanë gërrmuar dhe hequr tashmë rreth 20,000 ton rërë rreth saj. Kompania e ekspertëve holandezë Boskalis që po punon me mjetin, tha se anija mund të çlirohet në fillim të javës që vjen, nëse arrihet zhvendosja me barka më të rënda tërheqëse, me sondat gërrmuese dhe ardhjen e baticës.

Kreu holandez i përpjekjeve Peter Berdowski, tha mbrëmë në televizionin holandez: “Ne shpresojmë të kemi kryer punën brenda javës, por për këtë çdo gjë duhet të funksionojë sipas planit”.

Berdoëski shtoi: “Edhe pjesa e përparme është e ngecur në rërën argjile por jo e ngulur në të, kjo është diçka pozitive. Me këtë do të përpiqemi të ushtrojmë forcën e kërkuar për ta çliruar duke e tërhequr.”

Ndërsa kryeministri egjiptian Mostafa Madbouly falenderoi sot partnerët ndërkombëtarë që po ndihmojnë përpjekjet dhe tha: “Barka tërheqjeje më të fuqishme vijnë në fundjavë, me një kapacitet total prej 400 ton. Ne shpresojmë që ky kombinim i tërheqëseve, i gërrmimit të rërës dhe i baticës së lartë, të çlirojnë anijen deri fundjavën e ardhshme”.

Postime të ngjashme

Spanja do të falë politikanët e dënuar katalanas

Dafina Vidishiqi

India vaksinoi mbi 8 milionë njerëz në një ditë

Dafina Vidishiqi

SHBA, BE, Kanadaja dhe Britania, sanksione të përbashkëta kundër Bjellorusisë

Dafina Vidishiqi

Vuçiq pritet të flasë para deputetëve për dialogun me Kosovën – por çfarë kishte thënë në vitin 2019?

Dafina Vidishiqi

Kryeministri britanik: Besojmë se më 19 korrik do të kemi lehtësim të masave kundër COVID-19

Dafina Vidishiqi

Rusia ndalon një OJQ arsimore amerikane

Dafina Vidishiqi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...