Agjencia Zhurnal.mk

Libani i shkatërruar, dikur krahasohej me Zvicrën

Qytetarët e Bejrutit kanë shprehur pakënaqësi me zyrtarët libanezë, të cilët e pranuan se shpërthimi i fuqishëm, që ndodhi më 4 gusht, ka qenë i parashikueshëm dhe që zyrtarët e portit ishin paralajmëruar në disa raste se duhet të ruajnë në mënyrë të sigurtë ngarkesën me kimikatin: nitrat të amonit, që gjendej aty.

Nga shpërthimi kanë humbur jetën së paku 135 njerëz, janë plagosur mbi 4 mijë të tjerë dhe rreth 300.000 kanë mbetur të pastrehë.

Kërkimi i të zhdukurve që kanë mbetur nën rrënoja, ende po vazhdon. Ndërkohë autoritetet po përpiqen të normalizojnë jetën, edhe përmes ndihmave të premtuara nga vendet të ndryshme në botë.

Tragjedia që ndodhi në Bejrut, është e fundit në listën e gjatë të problemeve që ka Libani, pasi kriza politike dhe ekonomike e ka tronditur vendin për vite me rradhë.

Pasi u njoftuan detaje të hetimit, organet e drejtësisë urdhëruan arrest shtëpiak për zyrtarët e portit, të cilët kishin njohuri se materiali i rrezikshëm ishte ruajtur për gjashtë vjet, pa masat e duhura të sigurisë.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun tha se arsyeja e shpërthimit ishin 2,750 tonë nitrat amoni, të ruajtura në mënyrë jo adekuate në depo.

Nitrati i amonit u shkarkua në port, më 2013 pasi mbërriti atje nga një anije ruse që kishte probleme teknike.

Kreu i portit të Bejrutit dhe shefi i administratës doganore iu tha mediave se ata disa herë u kanë shkruar organeve të drejtësisë, duke kërkuar që kimikatet të eksportohen, ose shiten, sepse porti nuk është i sigurt me një ngarkesë të tillë.

Drejtori i Përgjithshëm i Portit, Hassan Korajtem, tha se ata ishin të vetëdijshëm se materiali ishte i rrezikshëm “por jo në atë masë”.

Këshilli i Lartë i Mbrojtjes i Libanit insiston të shqiptohen “dënime maksimale” për ata që janë përgjegjës.

Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch (HRW) po kërkojnë që të zhvillohet një hetim i pavarur.

HRW tha se ekzistojnë “shqetësime serioze për aftësinë e gjyqësorit libanez për të kryer një hetim të besueshëm dhe transparent”.

Administrata libaneze shpalli një gjendje të jashtëzakonshme dy-javore në Bejrut, duke ia dorëzuar ushtrisë, kontrollin e sigurisë në kryeqytet.

Numri i vdekjeve ende nuk është përfundimtar.

“Sigurisht ka më shumë (viktima) nën rrënoja dhe ne po pranojmë dhjetëra informacione për njerëz të zhdukur”, tha ministri i Shëndetësisë Hamad Hassan.

Gati 300,000 njerëz mbetën të pastrehë, pasi shtëpitë e tyre ishin të dëmtuara nga shpërthimi.

Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hasani tha se në spitale nuk ka shtretër të mjaftueshëm dhe pajisje mjekësore. Guvernatori i Bejrutit, Marwan Abud, i tha BBC-së se vendi kishte nevojë për ushqim dhe shumë gjëra tjera.

“Bejrutit i duhen rroba, shtëpi, materiale për të rindërtuar shtëpitë. Bejrutit i duhen hapësirë për refugjatët, për banorët e tij”, shtoi Abud.

Shumë organizata ndërkombëtare, dhe vende, kanë ofruar ndihmë humanitare.

Tre aeroplanë francezë me 55 anëtarë të ekipeve të shpëtimit, pajisje mjekësore dhe një spital të lëvizshëm ku mund të mjekohen 550 pacientë, kanë arritur në Bejrut.

Presidenti Francez, Emanuel Macron, ishte udhëheqësi i parë botëror që arriti në Liban.

Libani ka qenë koloni franceze.

BE-ja, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Katari, Tunizia, Turqia, Irani, dhe shumë vende të tjera gjithashtu po dërgojnë ndihma.

Shpërthimi ndodhi afër vendit, ku më 2005, nga një makinë bombë u vra kryeministri i atëhershëm i Libanit. Rafik Hariri. Gjykata e përkrahur nga Kombet e Bashkuara, kishte planifikuar të publikonte ditën e premte vendimin për katër persona që akuzohen për vdekjen e Haririt. Por, Tribunali Special për Libanin ka njoftuar se ka shtyrë për 18 gusht vendimin.

Në periudhën e fundit ka pasur protesta masive të qytetarëve kundër korrupsionit dhe varfërisë. Në qytetet e Libanit, ka mungesë të shpeshtë të energjisë elektrike gjatë ditës, ujit të pijshëm, ndërsa shërbimet shëndetësore publike janë të kufizuara.

Pjesën më të madhe të produkteve ushqimore, Libani i importon, kështu që shumë njerëz janë të shqetësuar se do të ketë mungesë të ushqimit pasi një sasi e madhe grurit ishte ruajtur në port, i cili u shkatërrua gjatë shpërthimit.

Depoja kryesore, e cila mund të mbajë 85% të drithërave të vendit, është shkatërruar. Është i pasigurtë fati i portit të shkatërruar, i cili është shumë i rëndësishëm për ekonominë.

Përkatësisht, Libani importon 80 për qind të mallrave që konsumon. Nga kjo, 60 për qind zakonisht kanë kaluar nëpër portin e Bejrutit.

Presidenti, Michelle Aun, njoftoi se Qeveria do të ndihmojë drejtpërdrejt me 66 milionë dollarë, por vlerësohet se pasojat ekonomike të kësaj tragjedie do të jenë afatgjata.

Borxhi publik i Libanit në raport me prodhimin e brendshëm bruto është i treti më i madh në botë. Papunësia është 25 për qind, dhe gati një e treta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Qytetarët akuzojnë elitën qeverisëse, e cila ka mbizotëruar prej vitesh, për grumbullimin e pasurisë së madhe për veten e tyre, pa bërë ndryshimet e nevojshme për të zgjidhur problemet.

Sipas The Washington Post, miliarderët libanezë zotërojnë 20 për qind të të ardhurave të vendit, që është dy herë më shumë sesa në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë zjarret kapluan malet në perëndim të vendit, duke shpërfaqur mungesën e investimeve në shërbimin e zjarrëfikësve. Në mes të tetorit, qeveria propozoi tarifa të reja për duhanin, karburantin, dhe madje edhe aplikacionin WhatsApp. Sidoqoftë, vendimi për këto masa u tërhoq, për shkak të protestave të qytetarëve.

Këto protesta mblodhën qytetarët pavarësisht vijave tradicionale ndarëse sektare, për herë të parë që nga lufta civile. Kryeministri i sapoemëruar, Hassan Diab tha se për herë të parë në histori, Libani do të pezullojë shlyerjen e borxheve të huaja, sepse rezervat e këmbimit valutor kanë arritur një nivel “kritik dhe të rrezikshëm, kështu që paratë duhet të kursehen për të paguar mallrat e nevojshme të importuara”, shkruan BBC.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...