Nga: Albert Gjoka
Kur flasim për libraritë, ato nuk janë thjesht vende ku shiten libra, por konsiderohen si agora të botës së madhe të ideve, si qendra ku marketohen dhe “trafikohen” pasuritë e mëdha shpirtërore dhe mendore të një shoqërie, prandaj me të drejtë, librarët konsiderohen si “tregtarë shpirtrash”. Libraritë përfshihen në listën e hapësirave të quajtura si “vende të treta” në çdo shoqëri, ashtu si edhe kafenetë, institucionet e kultit, teatrot, bibliotekat, kinematë, e kështu me radhë. Sigurisht, në një vend si i yni, kafenetë kanë uzurpuar çdo qoshe, teksa libraritë zvetënohen dhe zhbëhen dita-ditës. Shqipëria renditet mes vendeve me numrin më të madh të “mejhaneve” në Evropë dhe numrin më të vogël të librarive.
Për shembull, Londra ka mbi 1600 librari. Pra, qyteti nëntë milionë banorësh ka për çdo 6000 banorë një pikë të tregtimit të botimeve, ndërsa kryeqyteti ynë prej gati një milionësh ka aq të tilla sa nuk i tejkalojnë gishtat e dy duarve. Ne nuk jemi konkurrues as me Kosovën, e cila gjatë viteve të fundit ka bërë investime domethënëse për rritjen e industrisë së librit dhe tregtimin e tij. Pjesa më e madhe e librarive tona janë në zgrip të mbijetesës për shkak se ato nuk trajtohen si biznese sociale, por taksohen si çdo biznes tjetër. Deri më sot në Shqipëri janë bërë politika (sigurisht, të vobekta) vetëm për botuesit, për autorët apo përkthyesit, por asnjëherë për librarët, sipërmarrja e të cilëve është lënë në mëshirën e tregut. Institucionet që bëjnë politikat e librit nuk kanë dëshmuar konkretisht qoftë edhe një akt të vetëm për të fuqizuar rrjetin e librarive.
Tashmë është e provuar se vendet që kanë shkallën më të lartë të leximit kanë edhe nivelin më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe social në të gjithë botën dhe kanë ruajtur dhe forcuar identitetin e shoqërisë së tyre. Ne po i humbasim përditë të rinjtë si lexues sepse në shkolla bibliotekat janë kthyer në magazine letrash dhe nuk ka politika publike leximi, nuk ka promovim modelesh dhe nuk ka mbështetje me fonde për pasurimin me libra që frymëzojnë dhe përmbushin nevojat dhe dëshirat e fëmijëve tanë.
Ne i kemi humbur komunitetet sepse mes vendeve të treta, librin e kemi përzënë nga hapësira publike, ia kemi vënë lakun në fyt librarisë me taksa dhe me harresë, e kemi djegur apo përmbytur bibliotekën, e kemi zhbërë rolin e institucioneve që menaxhojnë dhe marketojnë librin në jetën tonë publike dhe komunitare nuk kemi bërë asnjë herë politika mbështetëse për këtë segment të industrisë së librit, nuk e kemi vlerësuar asnjëherë rolin e librarit, si ndërmjetësi kyç mes librit dhe lexuesit, si hallka që nuk ka thjeshtë rolin për të shitur, por për t’i dhënë vlerën që i takon; ka misionin e madh që krahas përmbushjes së dëshirave dhe nevojave të lexuesit, të qarkullojë idetë që përmirësojnë rrënjësisht jetën e individëve dhe komuniteteve tona.