Libri dhe fletorja metoda më efikase për zhvillim adekuat të nxënësve!

nga Redaksia

Shkup, 27 shkurt – Përderisa në vendet evropiane flitet, punohet e veprohet në drejtim të digjitalizimit të administratës dhe shërbimeve të tjera, në vendin tonë kjo drejtori dhe shumë të tjera kërkojnë paga më të larta. Kjo përpos që flet se sa vlerësohen të punësuarit flet edhe sa larg jemi një digjitalizimi të nevojshëm. Por, jo çdoherë çështja e digjitalizimit është e favorshme, bie fjala për arsimin. Përderisa Ministria e Arsimit ka vite të tëra që po deklaron që po punojnë në drejtim të digjitalizimit në arsim, Suedia po i kthehet sistemit klasik të arsimimit të gjeneratave të reja me libër dhe fletore. Sepse, sipas tyre nxënësit që mësojnë nga tabletat apo mjetet tjera teknologjike kanë zhvillim shumë më të dobët krahasuar me nxënësit që mësojnë nga libri. Cilësia në arsim vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha që po e tangon arsimin sot, shifra shqetësuese dalin kur bëhet matja e opinionit publik dhe publikime të ndryshme mbi këtë temë. Prandaj, duhet kuptuar që nuk ka mjet që mund të zëvendësoj librin, shkruan Zhurnal.

Derisa të digjitalizohet arsimi në RMV, Suedia po i kthehet formës klasike të mësimi, me libër dhe fletore –

Të mësuarit nga librat dhe fletoret është mënyra e vetme e mësimnxënies së duhur te fëmijët, posaçërisht ata të arsimit fillor. Profesori, Avzi Mustafa tha për Alsat se çdo mësim nga libri mbetet i vulosur në memorien e fëmijëve. Sipas Mustafës, pavarësisht zhvillimit teknologjik, nuk ka mjet dhe proces që mund të zëvendësoj të mësuarit klasik.

“Mësimi i cili kërkohet të mësohet nëpërmjet librave, jo nëpërmjet kompjuterëve ndikon te nxënësit që të vuloset në memorien e atij që të mos harrohet kurrë sepse ai, nxënësi duhet atë ta bëj pronë të veten. Kurse kjo që është nëpërmjet mjeteve të digjitalizuara nuk ndikon në memorien e nxënësit. Libri ka ekzistuar, do të ekzistojë edhe në të ardhmen dhe nuk ka mjet që mund ta zëvendësoj”, tha Avzi Mustafam, profesor, për Alsat.

Ndërsa Maqedonia e Veriut tenton ta digjitalizoj procesin mësimor, Suedia po bën të kundërtën, ka rikthyer librat dhe fletoret në përdorim. Nxënësit e klasës së katërt që për herë të parë u përballën me librin e matematikës, kohë më parë rrëfyen për DW dallimet mes librit dhe laptopit.

“Ka më shumë përshkrime. Këto nuk i kishim në laptop dhe ndoshta është më e vështira se tani duhet të lexosh vet, më parë ishte kompjuteri që i lexonte detyrat me zë të lartë”, tha një nxënëse suedeze.

“Avantazhi është se një libër nuk bllokohet gjithmonë si një kompjuter por unë kam vështirësi edhe në të shkruar. Për mua bëhet më e vështirë sepse tani duhet të shkruaj me dorë”, shtoi një nxënës suedez.

Mësimdhënësit suedezë thonë se të mësuarit në formë digjitale kanë ndikuar te nxënësit në forma të ndryshme.

“Nxënësit lexojnë më ngadalë, kanë një fjalor më të varfër dhe kuptojnë më pak nga ajo që lexojnë. Ne mendojmë se kjo vjen për shkak se ne kemi bërë shumë në mënyrë digjitale deri sot”, u shpreh mësuese suedeze.

Suedia për një kohë të gjatë është konsideruar si model për mësimdhënien digjitale. Mirëpo, vitin e kaluar ministria suedeze e Arsimit kishte propozuar rikthimin e librave dhe fletoreve në shkolla, sepse, sipas këtij dikasteri vetëm mësimi digjital në shumë raste ka sjell rezultate më të dobëta.

Studim PIRLS nxënësit në Maqedoninë e Veriut lexojnë shumë pak –

Rezultatet e fundit nga Studimi Ndërkombëtar i Leximit (PIRLS 2021) thonë se filloristët nga Maqedonia e Veriut kanë treguar rezultat nën mesataren në lexim. Sipas tyre, nxënësit e RMV-së nga klasa e katërt u renditën në vendin e 34-të në botë në tabelën e 43 vendeve të botës. Sipas tabelës, nxënësit e klasës së katërt kanë fituar 442 pikë dhe janë nën mesataren prej 500 pikësh, sipas të cilës është bërë renditja. Vajzat në klasën e katërt kishin një notë mesatare më të lartë se djemtë, me një avantazh prej 25 pikësh.

Nxënësit e klasës së katërt në Maqedoninë e Veriut ishin më të suksesshëm në gjetjen dhe nxjerrjen e drejtpërdrejtë të përfundimeve sesa në interpretimin, integrimin dhe vlerësimin e materialit. Ndër vendet më lartë të renditura nga rajoni për sa i përket leximit janë Sllovenia në vendin e 23-të me 520 pikë, Serbia është në vendin e 26-të me 514 pikë dhe menjëherë pas saj është Shqipëria me 513 pikë. Nga rajoni, edhe pse nën mesatare, Mali i Zi ka rezultate më të mira se Maqedonia e Veriut – 487 pikë, ndërsa më keq është vetëm Kosova, e cila është në vendin e 38-të me 421 pikë.

Ky sondazh i gjerë ndërkombëtar, rezultatet e të cilit publikohen çdo pesë vjet, renditi fëmijët e Singaporit të parët në lexim me 587 pikë, të ndjekur nga Hong Kongu (573) dhe Rusia (567). Në top 10 vendet që mund të mburren me studentë që lexojnë mirë janë Anglia, Finlanda, Polonia, Kina, Suedia, Australia dhe Bullgaria fqinje, e cila ka 540 pikë.

Sipas qytetarëve, bazuar në anketën e realizuar për Detektor nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup arsyeja kryesore pse Maqedonia është në vendet më të ulëta në matjet botërore për cilësinë e arsimit është planprogrami i dobët, mendim të cilin e ndajnë 19,2% e qytetarëve. 15.5% mendojnë se arsyeja kryesore është stafi joadekuat mësimdhënës, 12.7% e shohin problemin në tekstet shkollore jo cilësore dhe 11% në kushtet e këqija në shkolla. Kujtojmë që, anketa për Detektor nga Institutit për Hulumtime Politike në Shkup është realizuar nga 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti në mostër përfaqësuese prej 1107 të anketuarve.

Prandaj, në kohën kur niveli i leximit është nën masën e lejuar dhe rezultatet e nxënësve janë në nivelin më të ulët të mundshëm nuk duhet gabuar që të flitet për digjitalizim të arsimit. Sepse, pastaj nxënësit edhe më pak do të lexojnë pasi tekstin e lexon vetë kompjuteri dhe kjo rrit edhe më shumë rezultatet negative dhe ulë nivelin e cilësisë. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More