Liderët e G7-ës pritet të zotohen për ndarje të 1 miliard vaksinave

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të dhurojnë 500 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë Pfizer, në gati 100 shtete në dy vitet e ardhshme, kanë raportuar mediat amerikane.

 

Presidenti amerikan Joe Biden pritet ta bëjë këtë njoftim më 10 qershor, para nisjes së samitit treditor të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), në të cilin pritet të diskutohet rimëkëmbja pas pandemisë.

Ky grup përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, plus Bashkimi Evropian.

Njoftimi vjen teksa vendet e zhvilluara përballen me presion për të shmangur dallimet e mëdha në vaksinim mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra.

Sipas një draft-komunikimi të parë nga Bloomberg News, liderët e G7-ës do të zotohen edhe për ndarje të 1 miliard dozave shtesë në vendet më pak të zhvilluara në vitin e ardhshëm.

Ndonëse Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e mirë e Evropës, janë duke zhvilluar programet e vaksinimit relativisht shpejt, shumë shtete tjera po përballen me shpërthime të reja dhe pak qasje në vaksina.

Donacionet e SHBA-së pritet të ndahen përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili është krijuar për të ndarë vaksina për vendet në zhvillim.

Administrata Biden veçse ka bërë të ditur se do të ndajë 80 milionë vaksina në gjithë botën deri në fund të këtij muaji.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka konfirmuar se edhe Kosova do të përfitojë nga ky donacion amerikan, ndonëse sasia e vaksinave nuk është bërë e ditur./REL

Related posts

Largimi i ushtarëve amerikanë nga Afganistani mund të sjellë ‘luftë civile’

Redaksia

India vaksinoi mbi 8 milionë njerëz në një ditë

Redaksia

Një variant edhe më i rëndë i Kovid-19 ka filluar të përhapet në botë

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More