Ligji për “branitellat” për konsum të ulët politik ditor!

nga I.A

Shkup, 25 shtator – E thonë edhe vetë pjesëmarrësit në “branitella” që ligji i propozuar nga LSDM është vetëm një mashtrim politik sa për konsum ditor dhe asgjë më tepër. Stoajnçe Angellov, vlerësoi se projektligji për “branitellave”, i paraqitur nga deputetja e LSDM-së, Slavjanka Petrovska, është i pazbatueshëm dhe paraqet “manovër politike për qëllime politike ditore”. Prandaj, faktori politik shqiptarë duhet të jenë vigjilent dhe sy hapur që të mos bien pre e këtij provokimi të ulët që rrezikon tensionimin e situatës ndëretnike në vend, shkruan Zhurnal.

Ligji për “branitellat” manovër politike –

Kryetari i Dostoinstvo-s, Stojançe Angellov, vlerësoi se projektligji për “branitellave”, i paraqitur nga deputetja e LSDM-së, Slavjanka Petrovska, është i pazbatueshëm dhe paraqet “manovër politike për qëllime politike ditore”.

“Është keqpërdorur ligji, është futur në politikën ditore gjendja e familjeve të mbrojtësve të rënë, të cilët deri më sot nuk janë dëmshpërblyer, gjendja e invalidëve ushtarakë që nuk janë dëmshpërblyer edhe sot e kësaj dite të evituara nga opozita e mëparshme dhe qeveria aktuale – OBRM-PDUKM, sepse kur kjo iniciativë hyri në procedurë parlamentare vitin e kaluar, OBRM-PDUKM nuk e shfrytëzoi atë si temë ditore”, tha Angellov për “Sitel”.

Angellov tha se me zgjidhjet ligjore për të cilat po avokohen, synimi parësor është kompensimi i drejtë i 15 familjeve ende të pakompensuara të “branitellave” të rënë dhe 10 invalidëve të luftës.

“Qëllimi i dytë janë të gjithë “branitellave”, sepse të gjithë “branitellave” maqedonas që e mbrojtën atdheun në vitin 2001, kanë të drejtën e disa të drejtave, qoftë edhe simbolike, me të cilat shteti do t’i njohë atë që kanë bërë, dhe momenti i tretë është dekorimin e mundshëm nga presidenti i shtetit dhe komandanti i përgjithshëm, i cili u shpall në fushatën parazgjedhore”, tha Angelov.

Lidhur me përgatitjen e draft tekstit të ligjit, i cili është dorëzuar vitin e kaluar me iniciativë të “Dostoinstvo”, dhe për të cilin deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska deklaroi se është përgatitur në zyrën e saj derisa ishte në pozitën e ministres së Mbrojtjes, në Në koordinim me Angellovin, kryetarja e “Dostoinstvo” deklaroi se ky pretendim nuk është i vërtetë, duke theksuar se ajo ishte e informuar dhe mbështetur, por se ligji është përgatitur nga “Dostoinstvo”.

VMRO akuzoi LSDM-në se propozim ligji ishte tendencë për të nxitur tensione etnike –

Ligjin për “branitellat”, i cili ishte në rend dite të seancës së Kuvendit, e ka dorëzuar LSDM-ja përmes deputetes Slavjanka Petrovska, tha kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për koment pas njoftimeve të koalicionit VLEN se të njëjtin ligj do ta dorëzojnë edhe për pjesëtarët e ish-UÇK-së.

“Branitellat kanë dhe do ta kenë mbështetjen time, pamëdyshje. Ky ligj është dorëzuar nga deputetja Slavjanka Petrovska, gjegjësisht nga LSDM-ja, dhe ajo që është interesante – kur u votua nevoja e rendit të ditës, LSDM e braktisi seancën. Pse e them këtë, sepse LSDM-ja nuk e dorëzon ligjin sepse u mendojnë të mirën “branitellave”, por për të krijuar një situatë të këtillë. Për të krijuar sërish tensione ndëretnike”, tha Mickoski.

Pra, e thënë edhe nga kryeministri  i vendit dhe ashtu doli që propozim ligji ishte vetëm një tendencë e ligët dhe e ulët për të nxitur tensione të cilat nuk i shërbejnë askujt. Nëse nga LSDM janë aq shumë të interesuar për të rregulluar statusin e “branitellave” përse këtë nuk e bënë sa ishin në pushtet?

VLEN: BDI dhe LSDM nxitojnë të sjellin ligjin e branitellave për të shpëtuar nga korrupsioni politik

Koha e lojërave politike ka përfunduar! Koalicioni VLEN nuk do të qëndrojë duarkryq derisa opozita dhe aleatët e saj të heshtur përpiqen të ndezin flakën e përçarjeve ndëretnike, për të shpëtuar korrupsionin e tyre politik, shkruajnë nga koalicioni VLEN.

“Mjaft më me manipulime dhe provokime! Sponsorizuesi kryesor i ligjit të mbrojtësve është BDI, ndërsa moralisti i rremë Blerim Bexheti, i cili së bashku me Danella Arsovska dhe LEVICËN sollën Andon Lazov Janev Qoseto në Shkup, duhet ta pyesin Talat Xhaferin, i cili me rregulloren e re mundësoi që të provokohen situata të tilla. PGjithashtu, le ta pyesë edhe Artan Grubin, si u bë që me 30 mijë euro i dëmshpërbleu katër branitella! Ligji hyri në procedurë sepse sipas rregullores së re, nuk ka mundësi që të mos vihet në rend të ditës një ligj i propozuar nga një deputet, Qeveria ose kushdo që ka të drejtë të propozojë ligj. LSDM opozitare tregoi edhe një herë se nuk e ka për qëllim të ndërtojë një të ardhme të përbashkët për qytetarët, por të hapë plagët e së kaluarës për përfitime të ulëta politike, ndërsa BDI vazhdon të luajë lojën e saj të vjetër-të re, e cila është e orientuar për të tërhequr vëmendjen nga krimet e saj, përmes akuzave dhe krijimin e tensioneve të rreme”, shkruajnë nga VLEN.

Ligji nuk kaloi pasi u bllokua nga Komisioni përkatës në Kuvend –

Komisioni parlamentar i Punës Sociale dhe Demografisë e ka bllokuar Ligjin për “branitellat”, pasi nuk e vendosi atë në rend dite. Ligji i propozuar nga LSDM-ja, ka shkaktuar debate të shumta në opinion që në të njëjtën kohë një dëshpërim dhe shqetësim kolektiv tek populli shqiptarë. Pasi me të parashihet ndihmë financiare në vlerë deri në 82.000 euro vetëm për pjesëmarrësit maqedonas në luftë. Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti prej Uashingtonit, ku po qëndron për vizitë zyrtare, ka porositur se Ligji për “Branitellat”, i propozuar nga LSDM nuk kalon. Sipas tij, me këtë ligj po BDI, LSDM dhe E Majta, i kanë bashkuar forcat për me qëllim që të realizohen paralajmërimet për destabilizim.

Kujtojmë që, Ligji për “Branitellat” dhe familjarët e tyre në Kuvend ishte dorëzuar nga Sllavjanka Petrovska e LSDM-së. Me të, listës së përfitimeve financiare për ish forcat e sigurisë dhe familjarëve të tyre, i shtohen një nen i cili parashikon kompensim të njëhershëm financiar në bazë të shkallës së invaliditetit deri në 82.000 euro për person. Krahas “Branitellave” të vitit 2001, ligji do t’i kompensojë edhe familjarët e të vdekurve apo pjesëtarëve të vrarë të forcave maqedonase të sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024. E kjo gjë nuk kaloi sepse në këto ndryshime ishin lënë anash ish ushtarët e UÇK-së. /Zhurnal.mk

 Moment ideal për të vazhduar rrugën drejt BE-së!

Shkup, 26 shtator – Ndryshimet Kushtetuese janë vendimtare për ecurinë e vendit, nëse ndodhin vendi vazhdon rrugëtimin evropian, nëse nuk ndodhin vendi izolohet dhe pëson regres dhe sërish ballafaqohet me veton bullgare, pra kemi kthim në pikën zero. Mes tjerash, nga kjo situatë lirshëm mund të thuhet se po që ndryshimet Kushtetuese janë orientuese të vendit, pasi Maqedonia e Veriut është e orientuar drejtë Bashkimit Evropian gjegjësisht Perëndimit, nëse nuk ndodhin këto ndryshime atëherë orientimi i vendit vihet në rrezik sepse kjo qartazi nuk është në favor të ardhmes së vendit, shkruan Zhurnal.

Orhan Murtezani: Tani është momenti ideal për të ecur shpejt drejt anëtarësimit të plotë në BE –

Përkushtimi i Qeverisë së re për anëtarësimin e shpejtë të vendit në BE u theksua edhe një herë në takimet e sotme me përfaqësuesit e lartë të Unionit, deklaroi Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, i cili sot shoqëroi Kryeministrin Hristijan Mickoski gjatë vizitës së tij pune në Bruksel.

Këtë e kemi dëshmuar me faktin që në programin qeveritar, ndër prioritetet kryesore është anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe me miratimin e shpejtë të agjendës reformuese që është pjesë e Planit të Rritjes, tha Murtezani.

Sipas tij, ky Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i propozuar nga Komisioni Evropian, përfaqëson një kornizë përmes së cilës BE trajton vendet e rajonit në mënyrë të ngjashme me vendet anëtare, duke marrë parasysh që shumica e fondeve që do të jenë në dispozicion janë në nivel të ngjashëm me ato që marrin vendet anëtare të BE-së.

Duke shtuar zhvillimet gjeopolitike dhe përparësinë e BE-së për politikën e zgjerimit, mendoj se është momenti ideal për vendin tonë të ecë shpejt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, theksoi Murtezani.

Murtezani, së bashku me Ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucinovski, shoqëruan Kryeministrin Mickoski në takimet e sotme në Bruksel me Presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtoratit për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), Gert Jan Koopman. Më herët, kryeministri mori pjesë edhe në një drekë pune me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së bashku me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Sfida e radhës për RMV-në mbetet anëtarësimi i plotë në BE –

Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, është pozicionuar në drejtim të anëtarësimit në BE si veprim strategjik i domosdoshëm për zhvillim të shtetit. Pra, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka filluar menjëherë pas pavarësimit, ndërsa zyrtarisht më 17 dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropës vendosi që Republikës së Maqedonisë, atëherë, ndërsa sot RMV-së, statusit shtet kandidat për anëtarësim në BE. Më 17 dhjetor të po këtij viti, 2023, RMV mbush plot 18 vite po me të njëjtin status vetëm shtet kandidat, pa marrë datën për fillim të negociatave.

Por, a është i nevojshëm ose i mjaftueshëm vetëm aplikimi e interesi i një shteti për t’u anëtarësuar në BE?, sigurisht që jo. Bëhet fjalë për disa kushte që duhet plotësuar secili shtet i interesuar për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Mirëpo, për çfarë kushtesh bëhet fjalë, flitet për kushte që janë vështirë për t’u plotësuar apo mungesë e seriozitet të shteteve kandidate në përgjithësi, e në veçanti të shtetit tonë?, janë çështje të diskutueshme

Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti Bullgar, që në mënyrë të drejtpërdrejt pengohet edhe Shqipëria. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE. Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në.

Ndryshe, zgjidhja e vetme është bazuar në planin franko-gjerman përmes të cilit Maqedonia e Veriut është e obliguar të bëjë ndryshime kushtetuese dhe të fusë bullgarët si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit. Por, për këto ndryshime nevojiten 80 vota të deputetëve që shumica aktuale parlamentare e ka të vështirë t’i sigurojë, pasi opozita maqedonase kundërshton ashpër e opozita shqiptare ka vendosur dy kushte. Përmes këtij plani arrihet marrëveshje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por esenciale janë ndryshimet kushtetuese që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More