Shkup, 19 janar – Maqedonia e Veriut për dekada të tëra vazhdimisht është një vend i varur nga importi i energjisë elektrike. Për këtë rast Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, në një deklaratë dhënë për “Radion Europa e Lirë”, ka thënë se vendi ynë është duke hartuar strategji në planin afatgjatë, dhe afatshkurtë që të lirohet nga kjo varësi.
Ajo gjithashtu ka theksuar se edhe gjendjen të cilën e kanë gjetur, ka qenë shumë e rrëndë.
“Ne kemi trashëguar probleme të mëdha në të gjithë sektorët e energjisë dhe aktualisht po punojmë në hartimin e Ligjit për Energjinë dhe sigurisht që jemi këtu në periudhën e dimrit. Pra fokusi është më së shumti në sigurimin e energjisë elektrike për qytetarët. Ne bëjmë strategji, afatshkurtëra dhe afatgjate. Ato afatshkurtra janë të fokusuara në kompleksin minerar TEC – Manastiri dhe furnizimin me thëngjill dhe angazhimin e të gjitha kapaciteteve tjera energjetike. Ndërsa në planin afatgjatë është krijimi i kapaciteteve të reja. Në fund të vitit të kaluar kemi nënshkruar për ndërtimin e kapaciteteve të reja për 100 megavat për ndërtimin e energjisë së gjelbër dhe shpresojmë që kjo të vazhdojë”. – ka thënë Ministrja e Energjetikës dhe Lëndëve të para Minerale, Sanja Bozhinovska.
Ministrja Bozhinovska thotë se dikasteri i saj është duke punuar për krijimin e një rrjeti master të energjetikës, dhe deri në fund të vitit do të ketë mbi 1000 megavat burime të rinovueshme.
RMV sipas sajë është në një linjë me partnerët evropianë për tranzicionin e gjelbër. Bozhinovska gjithashtu tha se Qeveria e kaluar, për 7 vjet nuk ka ndërtuar asnjë kapacitet energjetik, por ka shpenzuar 400 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike.