Lionel Messi ka identifikuar një lojtar nga ‘gjenerata e re’ që i kujton atij veten kur ishte më i ri.
Tetë herë fituesi i Topit të Artë vizitoi selinë e Adidas në Gjermani këtë javë, së bashku me bashkëlojtarët e tij Sergio Busquets dhe Jordi Alba.
Aty Messi ishte prezent në skenë së bashku me shefin e Adidas, Bjorn Gulden, i cili i bëri argjentinasit disa pyetje.
“Futbolli po ndryshon dhe ka një gjeneratë të re që po rritet. Kush është një lojtar nga kjo gjeneratë e re të cilin e shikoni dhe mendoni, ‘Ky jam unë kur isha më i ri’”.
“Kam dëgjuar për Lamine Yamal, pa asnjë dyshim. Varet nga ai dhe gjithashtu nga faktorët e tjerë, të qëndrojë konsistent, por ai tashmë është pjesë e së tashmes dhe pa asnjë dyshim, ka një të ardhme të madhe para vetes”, ka thënë Messi.
Kjo nuk është hera e parë që Messi është pyetur për të identifikuar talentin e ri më të mirë në botën e futbollit.
Më herët në vitin 2020, argjentinasi përmendi Jadon Sancho, Mason Mount dhe Phil Foden kur u pyet për të emëruar 15 lojtarët që janë në rritje.