Agjencia Zhurnal.mk

LSDM dhe BDI për zgjedhje më 5 korrik, VMRO-DPMNE pas epidemisë

Shkup, 3 qershor – Zhurnal.mk – Që të përmbushen afatet duhet të mbahen zgjedhje parlamentare më 5 korrik, përsëriti mbrëmë kryeministri teknik Oliver Spasovski, ndërsa qëndrim të njëjtë ka edhe zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani. Kreu i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, beson se zgjedhjet duhet të zhvillohen vetëm pas përfundimit të epidemisë së koronavirusit.

Zgjedhjet duhet të mbahen në përputhje me rregullat ligjore dhe në bazë të dekretit qeveritar. Ky dekret i ndërpreu aktivitetet zgjedhore. Pra, kur të mbarojë gjendja e jashtëzakonshme, afatet për zgjedhje do të vazhdojnë dhe mbesin edhe 22 ditë, ndërsa kjo përkon me 5 korrikun si një datë e mundshme. Prandaj, nëse i ndjekim këto fakte, atëherë data e zgjedhjeve është e qartë. Ne kemi nevojë për shtet funksional dhe nëse nuk ka zgjedhje, nuk do të ketë asgjë, deklaroi kryeministri Oliver Spasovski.

Sipas tij, zgjedhjet do të organizohen në përputhje me protokollet, me kujdes që të ketë një proces zgjedhor të suksesshëm dhe paqësor.

Kryeministri theksoi se tani kemi një situatë në të cilën do të jetojmë më gjatë dhe për këtë arsye duhet të kemi zgjedhje në kohën e parë të mundshme, sepse nuk kemi asnjë mënyrë të funksionojmë si shtet nëse nuk kemi zgjedhje.

“Pres që të gjitha partitë politike t’i bëjnë analizat e tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhje”, shtoi Spasovski.

Sipas tij, komunikim mund të ketë në çdo kohë vetëm nëse partitë gjejnë një datë të pranueshme për zgjedhjet. Ai theksoi se edhe 21 qershori ishte një mundësi për zgjedhje, por situata kërkonte zgjatje të gjendjes së jashtëzakonshme, duke shtuar se ai beson se sipas kushteve nuk ka nevojë për një gjendje të re të jashtëzakonshme.

Ai e përmendi se shteti është jofunksional dhe se zgjedhjet janë zgjidhje që të munden institucionet t’i plotësojnë obligimet në kapacitet të plotë.

Çfarë do të na ndodhë pas një muaj, dy, tre… vallë nuk do të ketë të infektuar të rinj? Kjo nuk do të përfundojë brenda natës ndërsa ne duhet t’i kompletojmë institucionet. Nëse do të kishim mandat të plotë politik me parlament funksional do të ishte më ndryshe, do të funksiononte shteti. Prandaj tani, sipas protokolleve për mbrojtje, do të bëjmë gjithçka që të kemi zgjedhje të sigurta. Nëse mbajmë maska në market, në restorant, atëherë pse të mos mbajmë edhe në vendvotimet”, potencoi Spasovski i cili njëherësh është edhe nënkryetar i LSDM-së.

Mickoski theksoi se VMRO-DPMNE është e gatshme për dialog dhe pas përfundimit të suksesshëm të pandemisë, mund të flasim për data dhe hapa më specifikë për zgjedhje.

“Nëse nga ky prizëm si person, si qytetar kërkoni përgjigje nga unë, përgjigjja do të ishte: Ju lutemi, le të përpiqemi të shpëtojmë sa më shumë jetë njerëzish dhe të punojmë me qytetarët tanë në protokolle, masa, për t’i mbrojtur ata nga infeksioni i mundshëm i këtij virusi. Le ta përfundojmë së pari këtë, sepse shohim që kanë kaluar tre muaj pas nesh të hedhura në erë, asgjë nuk ndodhi, le ta përfundojmë së pari këtë dhe pastaj terminin e parë të lirë t’i organizojmë ato zgjedhje. Kjo duhet të ndodhë pasi ta luftojmë përfundimisht këtë pandemi”, tha Mickoski.

Rreth asaj çfarë do të bëjë partia e tij nëse LSDM dhe BDI vendosin për zgjedhjet më 5 korrik, Mickoski tha: “ju lumtë atyre nëse ata vendosin të shkojnë në zgjedhje në kohë kur numërojmë dhjetëra të sëmurë dhe disa të vdekur në ditë dhe se nuk ka asgjë për të shtuar ose hequr nga kjo pyetje”.

“Shtytja e qytetarëve në një periudhë të tillë për mua si person i përgjegjshëm dhe politikan do të thotë një rrezik shtesë për jetën e tyre”, tha Mickoski.

Ai theksoi se VMRO-DPMNE është gjithmonë për kompromis dhe bisedë dhe se ata janë në dispozicion të LSDM-së dhe BDI-së, nëse, siç tha ai, “ata vlerësojnë se kanë nevojë për pozicionin e VMRO-DPMNE-së në situatën e re”.

Ai konfirmoi se ka pasur një komunikim ndërpartiak për marrëveshje për datën e zgjedhjeve parlamentare, por se është ndërprerë pas rritjes së numrit të personave të infektuar me Kovid-19 në vend, të premten.

“Nuk ndjehem rehat të flas për zgjedhje në situatë të tillë”, tha Mickoski.

Osmani beson se nuk ka datë tjetër përveç 5 korrikut për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke theksuar se të tilla janë afatet edhe ligjore edhe logjike.

“Ne kemi shprehur qëndrimin tonë, nuk ka datë tjetër përveç 5 korrikut në këtë periudhë që vjen. Të tilla janë afatet, si ligjore, ashtu edhe logjike. Unë pres që ne do të arrijmë marrëveshje për më 5 korrik që t’i kthejmë institucionet. Megjithatë, nëse e vendosim në ‘peshore’ nëse sëmuret dikush nga procesi zgjedhor, madje nëse është asimptomatik, vallë ia vlen e gjithë kjo? Pra, në këto dy javë, le të ndjekim trendet”, theksoi Osmani.

Ai potencoi se gjendja e fundit e jashtëzakonshme dyjavore u ka ndihmuar si Qeveri të punojnë më pak nën presion të afateve dhe të fokusohen në gjendjen shëndetësore në këtë periudhë, ndërkohë të vazhdojnë të bisedojnë me partitë politike.

“Unë nuk pres qytetarët të na kuptojnë, por ne si ministra të cilët funksionojmë në bazë ditore e dimë sa na duhet më shpejtë që është e mundur Parlament funksional dhe Qeveri politike, kështu që ne jemi në një pozitë të vështirë të situatës së imponuar për shkak kësaj me Kuvendin për të cilën askush nuk është fajtor. Kuvendi u shpërnda më 12 shkurt kur askush nuk e dinte se do të kemi epidemi në vend”, potencoi Osmani.

Eurokomisari për zgjerim Oliver Varheji, në konferencë për shtyp sot porositi se do të kontaktojë me autoritetet e Maqedonisë për garancione se ka kohë të mjaftueshme për fushatë zgjedhore dhe se zgjedhjet do të jenë korrekte.

“E pashë njoftimin e qeverisë se ka për qëllim të mbajë zgjedhje në fillim të korrikut, duhet t’i shikoj detajet, atë që tani për tani mund ta them është se zgjedhjet duhet të jenë korrekte dhe të lira dhe të ketë kohë të mjaftueshme për fushatë, mundësi që partitë të udhëheqin fushatë. Duhet të shohim edhe si kjo mund të implementohet nën rregullat Kovid, do ta hap këtë çështje me autoritetet e Maqedonisë sepse është shumë e rëndësishme të sigurohet se zgjedhjet do të jenë tërësisht korrekte”, tha Varheji.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...
error: Content is protected !!