Manastirliu nga Petrela: Infrastruktura e përmirësuar rilindi zonat rurale

nga D. V.

Drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu u shpreh se Tirana është motori i zhvillimit të vendit, gjatë një takimi elektoral me socialistët në Petrelë, Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Manastirliu tha se “nëse flasim për çfarë është bërë në këto 12 vite, kemi çfarë të themi, pasi janë hedhur baza që jo vetëm do të na çojnë në zhvillimet e mëtejshme në të gjithë sektorët, por mbi të gjitha edhe ajo çfarë është bërë sa i përket zonave rurale investimeve në infrastrukturë, biznes, bujqësi, zhvillimin rural”.

Manastirliu vuri në dukje se në zonat rurale janë hapur fronte të reja pune.

“Sot mund të themi se potenciali dikur i pashprehur dhe i pashfrytëzuar i këtyre zonave ka dalë në pah dhe ka kaq shumë mundësi, të cilat kanë hapur fronte të reja pune, kanë filluar të tërheqin akoma më shumë investitorë dhe mbi të gjitha kanë filluar të kthejnë në vendin e tyre shumë të rinj e të reja, çifte të reja të cilat po investojnë në tokat e tyre përmes rrjeteve të agroturizmit”, nënvizoi Manastirliu.

Shqipëria europiane, vijoi Manastirliu, kërkon që të gjithë sektorët të zhvillohen paralelisht dhe kërkon investime në të gjitha fushat për gjithë grupmoshat.

“Sot mund të themi shumë çfarë kemi bërë për Tiranën duke nisur nga investimet në çerdhe, kopshte, shkolla, spitale të reja, infrastrukturë madhore që sot e ka bërë aq të lehtë lëvizjen e Tiranës përmes Unazës së Madhe që ka lidhur qendrën e qytetit me periferinë dhe zonat rurale. Në Petrelë, Farkë, Baldushk, Kërrabë apo në të gjitha zonat e tjera Pezë , Vaqarr, Ndroqi, infrastruktura e përmirësuar vërtet ka bërë një rilindje të zonave rurale, duke i dhënë pikërisht mundësi edhe më shumë për rritje dhe zhvillim ekonomik”, tha Manastirliu.

Manastirliu u shpreh se “ajo që na duhet të bëjmë të gjithë së bashku është ta bëjmë progresin e pakthyeshëm, të vijojmë reformat që kemi nisur dhe të vijojmë ashtu sikurse Tirana është sot simbol i zhvillimit dhe një simbol i transformimit, të vijojmë atë që po bëjmë me të gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More