Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, thotë se për këtë vit parashihet që FSK-ja të arrijë validimi i regjimentit të dytë të këmbësorisë.
“Ministria e Mbrojtjes po vazhdon të mbështes zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, bazuar në planin gjithëpërfshirës së tranzicionit, plan që është zhvilluar në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatë tjerë. Ky vit parasheh që këtë vit të bëjmë një arritje, që është validimi i regjimentit të dytë të këmbësorisë”, tha ai.
“Vitin e kaluar në kuadër të ushtrimit Defender Europe 2023, është planifikuar regjimenti i parë i këmbësorisë, ndërsa këtë vit planikfiojmë të validojmë regjimentin e dytë të këmbësorisë për të qenë i aftë për të kryer detyrën kyçe të tij që është mbrojtja e territorit dhe sovranitetit të vendit”, shtoi Maqedonci.
“Në këtë aspekt Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës po bëjnë hapa të rëndësishëm në përgatitjen, normalisht gjithmonë me partnerët tanë në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mbesin mbështetësi kryesor i zhvillimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovë”, u shpreh tutje ministri.
Ai tutje në Edicionin Special të Klan Kosovës, tha se janë duke vazhduar edhe me aktivitete të tjera, dhe gjitha këto ndërlidhen me arritjen e objektivave të parapara në kuadër të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit.
“Nënkupton që deri në fund të vitit 2025 të kemi përmbyllur fazën e dytë të tranzicionit, dhe me këtë të kemi të gatshëm tri regjimente të këmbësorisë, për të kryer detyrat e tyre në kuadër të misionit që kanë. Në këtë aspekt kemi pasur mbështetjen e vazhdueshme të kryeministrit dhe Qeverisë në veçanti me rritje buxhetore”, shtoi ministri.