Maqedonia e Veriut dhe Greqia një hap më pranë ndërtimit të interkonektorit të gazit natyror

Athinë, 11 shtator – Kompanitë kombëtare të shpërndarjes të gazit nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, NER dhe DESFA dje nënshkruan një marrëveshje në Selanik mbi bashkëpunimin për zhvillimin dhe ndërtimin e një interkonektori të gazit natyror, që është edhe një hap tjetër më pranë ndërtimit, por që, sipas qeverisë së RMV-të, “do të na japë mundësinë të pozicionohemi si një qendër rajonale për furnizimin me gaz të vendeve në rajonin e Evropës Juglindore”, raportoi korrespondentja e MIA -s nga Athina. Organizuar nga Oda Amerikano-Greke e Tregtisë dhe Shoqata Greke për Ekonominë e Energjisë, dje në Selanik u mbajt Forumi i Pestë i Energjisë për Evropën Juglindore me pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit për Çështjet Ekonomike, Koordinimin me Dikasteret Ekonomike dhe Investimet Bytyqi. Në margjinat e Forumit, Marrëveshja për Bashkëpunimin për Zhvillimin dhe Ndërtimin e Interkonektorit të Gazit Natyror u nënshkrua nga Drejtori Ekzekutiv i Burimeve Kombëtare të Energjisë (NER), Bajram Rexhepi dhe Shefi Ekzekutiv i Operatorit Kombëtar Grek të Shpërndarjes së Gazit ( DESFA) Maria Rita Gali. Marrëveshja midis NER dhe DESFA pason pas një marrëveshje të arritur në nivel politik më 9 korrik në Athinë midis ministrive të Ekonimisë, ajo e RMV-të dhe Greqisë.

 

Nga Kompania greke thonë se Marrëveshja vendos parimet e bashkëpunimit, sipas të cilave DESFA dhe NER synojnë të koordinojnë fazat kryesore, detyrimet e tyre të zhvillimit të interkonektorit, por përfshin edhe fillimin e Market Test-it të detyrueshëm, “sipas kushtet që do të miratohen nga Komisionet Rregullatore të Energjisë dhe pas vendimit përfundimtar pozitiv për investimet nga të dyja palët, i cili pritet në gjysmën e parë të vitit 2022, që do të lehtësojë përfundimin në kohë dhe efikas të ndërtimit të projektit, sipas kohës së rënë dakord”. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, drejtuesit e dy kompanive, Rexhepi dhe Gali, theksuan rëndësinë e interkonektorit mes dy vendeve. Drejtori Ekzekutiv i NER tha se nënshkrimi i marrëveshjes mes dy kompanive është ndër hapat e fundit dhe shumë të rëndësishëm drejt qëllimit përfundimtar.

“Ndërtimi i këtij korridori jo vetëm që do të diversifikohet, por gjithashtu do të krijojë një burim të qëndrueshëm të furnizimit me gaz natyror dhe përfitimet e tij do të jenë të disponueshme jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për fqinjët tanë veriorë. Bashkëpunimi ynë me DESFA nuk do të përfundojë me finalizimin e ndërlidhjes së gazit dhe natyrisht ky partneritet do të thellohet dhe zgjerohet në fusha të tjera, në mënyrë që të ofrojë kushte të favorshme në tregun e energjisë”, tha Rexhepi. Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Operatorit Kombëtar Grek të Transmetimit të Gazit vuri në dukje se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis DESFA dhe NER “jep një shtysë të rëndësishme për zhvillimin e një projekti reciprokisht të dobishëm për Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Në nënshkrim morën pjesë gjithashtu ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë Kostas Skrekas dhe ambasadorët amerikanë në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi, Kejt Bërns dhe Xhefrei Pajat.

Skrekas theksoi se interkonktori përmirëson më tej rolin gjeopolitik të Greqisë, ndërsa Maqedonisë së Veriut i jepet mundësia të zëvendësojë burimet më ndotëse të prodhimit të energjisë elektrike me gaz natyror dhe projekti do të krijojë mijëra vende pune. Ambasadori amerikan në Greqi Xhefri Pajat e përshëndeti marrëveshjen “si një shembull tjetër të rëndësishëm të agjendës pozitive ekonomike që po zhvillohet midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, bazuar në vizionin e Marrëveshjes së Prespës dhe duke siguruar më tej një furnizim të sigurt me energji për Evropën Juglindore.” Tubacioni, ndërtimi i të cilit do të kushtojë rreth 110 milionë euro, pritet të jetë 123 km i gjatë dhe të shtrihet nga Nea Mesimvria në Negotinë nëpërmjet Gjevgjelisë dhe të lidhë dy sistemet kombëtare të transmetimit të gazit natyror. Kapaciteti fillestar do të jetë 1.5 miliardë metra kub në vit, me mundësi zgjerimi në 3 miliardë metra kub në vit, dhe studime janë kryer në mënyrë që tubacioni të ketë specifikimet e duhura për transportin e hidrogjenit të gjelbër. Duke folur për politikat e energjisë në Maqedoninë e Veriut, ligji i ri i energjisë është plotësisht në përputhje me rregulloret e BE -së, si dhe me Komunitetin e Energjisë, dhe mundëson zbatimin e Strategjisë së re të Zhvillimit të Energjisë deri në vitin 2040 dhe Planin Klimatik dhe të Energjisë, që është në pritje të miratimit.

Related posts

Për tre javë nga Covid kanë vdekur 30 pacientë të vaksinuar me dy doza

Z H

Maqedoni/ Deri tani janë vaksinuar 428.081 qytetarë

Z H

Bashkëpunimi midis APRMV dhe qendrave për punë sociale për punësim të pranuesve të ndihmës së garantuar minimale

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com