Shkup, 31 korrik – Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot kishte takim me ambasadoren e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Larisa Dir, në fokus të së cilës ishin çështjet që kanë të bëjnë me integrimin evropian dhe bashkëpunimin bilateral.
Ministri Murtezani, siç thuhet në njoftim, theksoi mbështetjen e fuqishme të Maqedonisë së Veriut për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe popullit ukrainas, në kontekstin e agresionit ushtarak rus, duke theksuar harmonizimin tonë të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Njëherit, Murtezani përshëndeti vendimin pozitiv të Unionit për statusin kandidat të Ukrainës për anëtarësim në BE.
“Bashkëbiseduesit shprehën shpresë për progresin e suksesshëm të përbashkët të të dyja vendeve në rrugën euro-integruese, për çka ministri Murtezani potencoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut ti ndajë përvojat e saj lidhur me negociatat aderuese të skriningut, harmonizimit të legjislacionit me të drejtën e BE-së, përgatitjen e versionit nacional të Acquis-it evropian, koordinimin e IPA fondeve dhe të ngjashme”, njoftojnë nga Ministria për Çështje Evropiane.