Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të enjten në Pekin me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, që do të marrin pjesë në Samitin e 24-t Kinë – BE
Gjatë takimit, presidenti Xi Jinping vuri në dukje se, që nga fundi i vitit të kaluar, marrëdhëniet Kinë-BE kanë treguar një moment të mirë konsolidimi e zhvillimi dhe dialogët e nivelit të lartë në fushat strategjike, ekonomike e tregtare, të zhvillimit të gjelbër e të digjitalizimit kanë arritur rezultate të frytshme, duke qenë në përputhje me interesat e të dyja palëve dhe me pritshmëritë e njerëzve. Kina dhe Evropa janë dy forca kryesore që promovojnë sistemin shumëpalësh, dy tregje kryesore që mbështesin globalizimin dhe dy qytetërime kryesore që mbrojnë diversitetin. Në situatën e tanishme ndërkombëtare me trazira në rritje, marrëdhëniet Kinë-BE kanë rëndësi strategjike e ndikim global dhe janë të lidhura me paqen, qëndrueshmërinë dhe begatinë botërore. Të dyja palët kanë përgjegjësinë të sigurojnë së bashku më shumë qëndrueshmëri për botën dhe t’i japin më shumë shtysë zhvillimit, u shpreh ai
Xi Jinping-u theksoi më tej se modernizimi i stilit kinez dhe integrimi evropian janë zgjedhje strategjike të bëra nga Kina e Evropa me vështrimin të hedhur drejt së ardhmes. Sipas tij, Kina dhe Evropa duhet të respektojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën, të forcojnë ndërlidhjen e strategjive të zhvillimit dhe të arrijnë zhvillim të përbashkët. Ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” është një platformë e hapur që ka sjellë përfitime konkrete për më shumë se 150 vende të botës dhe popujt e tyre. Të dy palët duhet të forcojnë komunikimin dhe koordinimin brenda kornizave shumëpalëshe si OKB-ja e G20-a, t’i përmbahen multilateralizmit, të kundërshtojnë konfrontimin midis kampeve, të promovojnë zgjidhjet politike për çështjet e nxehta ndërkombëtare e rajonale dhe të zhvillojnë dialog e bashkëpunim për çështjet kryesore që lidhen me të ardhmen e njerëzimit, siç është inteligjenca artificiale, për të dhënë kontribut në përmirësimin e mirëqenies së të gjithë njerëzimit e për të përballuar sfidat globale”, shtoi presidenti Xi
Nga ana e tij, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel shprehu kënaqësinë që takohet me presidetin Xi. “Ne jemi të përkushtuar së bashku për të zhvilluar një marrëdhënie të qëndrueshme e me dobi të ndërsjellë me Kinën. BE-ja dhe Kina janë partnere të rëndësishme tregtare dhe ne shpresojmë të krijojmë marrdhënie të qëndrueshme, të ekuilibruara e të drejta tregtare, që do të sjellin begati më të madhe për popujt tanë. Ne i përmbahemi parimit të ‘Një Kine'”, vuri në dukje Michel.
Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u shpreh: “Është një nder që takohem përsëri me Ju. Kjo është vizita ime e dytë në Kinë këtë vit. Ne u kushtojmë rëndësi të madhe marrëdhënieve tona me Kinën. Kina është partnerja më e rëndësishme tregtare e BE-së. Vëllimi mesatar ditor i tregtisë ndërmjet Evropës dhe Kinës arrin në afro 2.3 miliardë euro, duke luajtur një rol të rëndësishëm në investimet dhe zhvillimin ekonomik të të dy palëve”. Sipas saj, si dy fuqi të mëdha në botë, BE-ja dhe Kina mbajnë përgjegjësi globale.
