Marrëdhëniet ekonomike midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së kërkojnë vëmendje politike!

nga I.A

Shkup, 27 shtator – Raporti apo marrëdhëniet ekonomike mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian kërkon vëmendje të posaçme në mënyrë që të shpeshtohet bashkëpunimi në kuadër të Procesit të Berlinit. Janë tre çështje kritike në marrëdhëniet ekonomike midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që kërkojnë vëmendje politike, e ky është zhvillimi i infrastrukturës, barrierat tregtare dhe integrimi ekonomik, sundimi i së drejtës dhe korrupsioni, shkruan Zhurnal.

Durmishi në konferencë në Berlin: Veprimi i koordinuar politik mund ta përmirësojë peisazhin ekonomik të Ballkanit Perëndimor –

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi sot ka marrë pjesë në konferencën e ministrave të Ekonomisë në kuadër të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Berlin. Siç bënë të ditur nga Ministria e Ekonomisë, ministrat e ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në forumin e biznesit diskutuan në temën “10 vjet Proces i Berlinit – Ballkani Perëndimor si zonë ekonomike në rrugën e BE-së”.

Duke e shënuar dhjetëvjetorin e ekzistimit të Procesit të Berlinit, në konferencë ishte theksuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor jeton moment historik lidhur me perspektivën e tij evropiane, ndërsa pikërisht kjo nismë mund të arrijë sinergji të përpjekjeve individuale të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si mekanizëm për përgatitje për anëtarësim drejt BE-së.

Ai foli edhe për perspektivat për rritje ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe theksoi se rajoni ka predispozita për rritje më të madhe ekonomike, por edhe shumë sfida.

“Rajoni ka popullsi të re dhe burime të bollshme natyrore, të cilat ofrojnë mundësi në sektorë të tillë si bujqësia, turizmi dhe burime të ripërtërishme të energjisë. Përparimi drejt anëtarësimit në BE mund të përmirësojë stabilitetin ekonomik dhe të tërheqë investime, meqë e harmonizon rajonin me tregjet dhe standardet e BE-së. Për të tërhequr më shumë investime, ne duhet të forcojmë qeverisjen dhe sundimin e ligjit. Ne duhet të përmirësojmë infrastrukturën, duhet të përmirësojmë arsimin dhe zhvillimin e aftësive, të promovojmë stimuj specifikë për sektorë”, theksoi Durmishi, bëhet e ditur në kumtesë.

Në konferencën në Berlin, morën pjesë edhe ministrat e Ekonomisë të Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës. Procesi i Berlinit ishte formuar në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim në nivel të lartë mes përfaqësuesve të lartë zyrtarë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kolegëve të tyre në vendet nikoqire të Procesit të Berlinit. Procesi i përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet ndërkombëtare financiare dhe shoqërinë civile në rajon, Zyrën rajonale për bashkëpunim rinor RYCO dhe bizneset.

Në Maqedoninë e Veriut pritet të rritet numri i qytetarëve të varfër-

Kostoja e jetesës po rritet me shpejtësi të madhe saqë qytetarët edhe po zihen në befasi. Jemi dëshmitarë se çmimet e shumë produkteve ushqimore janë rritur jashtëzakonisht shumë, edhe përkundër faktit që së fundmi kemi një masë për “çmim të garantuar” edhe kjo masë është me afat të caktuar. Dhe, sërish gjendja e çmimeve mbetet shqetësim kryesor i qytetarëve. Si gjithmonë, më të prekurit do të jenë ata që deri tani kanë jetuar me të ardhura të ulëta, ose fare pa të ardhura që kanë qenë nën mëshirën e humanizmit.

Tashmë po bëhen llogaritë se për çfarë kemi para dhe për çfarë nuk kemi dhe po bëhen kompromise për cilësinë e ushqimit dhe strehimit. Pritet që një pjesë e qytetarëve të cilët në të kaluarën ishin në rrezik të varfërisë të bien nën pragun dhe po pritet të rritet numri i të varfërve. Fatkeqësisht, qytetarët që ende jetojnë nën atë vijë do të gjenden në një situatë edhe më të pafavorshme, pa kushte minimale për një jetë me dinjitet. Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta.

Zonat shqiptare janë të lëna pas dore edhe nga numri i punësimeve aktive –

Zonat e banuara me shqiptarë vazhdojnë të mbesin me numrin më të ulët të punësimeve në nivel shteti. Enti Shtetëror i Statistikave ka publikuar të dhënat për vendet aktive të punës dhe ato të lira në nivel shteti për tremujorin e katërt të vitit 2022. Krahasuar me popullsinë e përgjithshme të rajoneve, Pollogu, si rajoni i dytë më i populluar në vend, qëndron më së keqi me vetëm 762 vende aktive pune për 10.000 banorë, pas Rajonit Verilindor me 1.242 dhe atij Jugperëndimor me 1.614.

Këto rezultate nuk janë të pa pritshme, pasi edhe në ato pak vende pune të rezervuara për shqiptarët punësohen maqedonasit. Nëse para disa viteve ka qenë problem garantimi i një vendi pune për një shqiptarë, tani më kjo çështje është e rregulluar me Marrëveshjen e Ohrit, konkretisht ligjin e Balancuesit. Por, sërish shqiptarët therrë në sy për maqedonasit, edhe pse janë të pakta ato vende pune të rezervuara për shqiptarët në kuadër të këtij ligji, ka pasur shumë raste që maqedonasit ndryshojnë identitet në letra vetëm për tu punësuar në atë vend të caktuar për një shqiptarë.

Mungesa e investimeve dhe punësimeve në zonat shqiptare vjen si pasojë e de-faktorizimit të shqiptarëve në vend, dhe kjo si rrjedhojë e mos unifikimit të faktorit politik shqiptarë. Shqiptarët janë të ndarë e të përçarë, çdo mëhallë me nga një parti politike, dhe kjo pastaj prodhon këtë situatë edhe me numrat e deputetëve shqiptarë në Kuvend. Politikanët shqiptarë ndër vite janë marrë me patetizëm dhe folklorizëm politik duke dhënë premtime megalomone në fushata dhe duke bërë namin e zi pas zgjedhjeve. Gjuha shqipe, flamuri, udhëheqja e institucioneve nga shqiptarë, duket që kanë qenë kauzat e dekadave të fundit. Pa çka se disa u arritën, gjendja e shqiptarëve në terren veçse u përkeqësua edhe më shumë, ikje e largim të hovshëm sikurse në kohë lufte.

Nuk ndryshon dot mirëqenia sociale e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut me këtë avaz, përderisa zonat e banuara me maqedonas kanë numrin më të madh të punësimeve në vend, janë magnet i investitorëve të huaj, zonat shqiptare janë shndërruar në zona ferra dhe alergjike për investitorët, si dhe shqiptarët fatin e tyre në punë e kërkojnë jashtë vendit. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More