Marrëveshja me “Bechtel&Enka” nuk prishet, por Grubi dhe Rrustemi mbeten në “zonën e rrezikut” të përgjegjësisë!

nga I Z

Shkup, 10 korrik – Nuk do të prishet marrëveshja me “Bechtel Enka” për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10D, tha Ministri i transportit dhe lidhjeve Aleksandar Nikolloski. Ai tha se pushteti i ri do të “luftojë” me konzorciumin amerikano-turk që të përfitojnë sa më shumë kilometra autostradë në kuadër të njëjtës shumë që është bërë marrëveshja nga qeveria e kaluar.

Më shumë kilometra, për të njëjtat miliona

Në këtë mënyrë do të evitohej një pjesë e dëmit, duke pasur parasysh se marrëveshja është përpiluar në atë mënyrë që çdo shkëputje e saj, mund t’i sjellë dëme shtesë Maqedonisë së Veriut. Pjesa tjetër e dëmit do të evitohej nëse angazhohen edhe kompani vendore të Maqedonisë për të punësuar më shumë punëtorë tanë dhe për të mbajtur mjetet buxhetore të planifikuara për infrastrukturën në vend, gjë që poashtu e ka paralajmëruar ministri Nikollovski, shkruan Zhurnal.

“Qeveria e kaluar e LSDM-së i ka paguar 240 milion euro kontraktorit pa bërë asgjë, bie fjala për punën përgatitore por janë gjëra që nuk i shohim. Mendoj se do të ishte raport jo miqësor ndaj buxhetit të shtetit, apo dashakeqe, që unë tani ta ndërpres marrëveshjen dhe ato para nuk mund ti kthejmë nga konzorciumi, i cili mund të na padis në arbitrazhe dhe të paguajmë edhe aq dhe ti humbi gjysmë miliardi euro dhe mos të kemi asnjë kilometër autostradë. Ne duhet të ballafaqohemi me ata dhe të përfitojmë sa më shumë autostradë në ato para”, tha Aleksandar Nikolloski, Ministër i transportit dhe lidhjeve.

Koha të fillojnë me punë më intenzive edhe “Bechtel&Enka” edhe Prokuroria!

Edhe pse kontrata me “Bechtel&Enka” sipas gjitha gjasave nuk do të shkëputet, kjo nuk do të thotë se Prokuroria nuk ka punë në këtë rast. Figurat kryesore të kësaj marrëveshje, ish zëvendës kryeministri i parë, Artan Grubi dhe ish drejtori i Agjencisë së Rrugëve Shtetërore, Ejup Rrustemi, mbeten në “zonën e rrezikut” dhe mund të jaçin përgjegjësi. Ministri Nikollovski javën e kaluar ka zhvilluar konsultime me strukturat më të larta policore lidhur me dyshimet për parregullsi dhe keqpërdorime në ndërtimin e rrugëve dhe korridoreve, kurse përgjegjësi të mundshme për Grubin e Rrustemin ka paralajmëruar edhe kryetari i Lëvzjes Besa, Bilall kasami, pjesë e koalicionit qeveritar VLEN, shkruan Zhurnal.

Fillimisht, Kasami në Daily Click në TV21 tha se bisedimet me kompaninë “Bechtel&Enka” po shkojnë në drejtimin e duhur dhe se pret që të vazhdojë realizimi i Korridorit 8. Kasami paralajmëroi se ministri aktual i Transporti, Aleksandar Nikollovski, dhe drejtori aktual i N.P. “Rrugët Shtetërore”, Koce Trajanovski, do të japin informacione shtesë për këtë projekt, ndërkaq theksoi se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i N.P. “Rrugët Shtetërore” ndoshta do të duhet të japin përgjegjësi për veprimet në lidhje me këtë projekt.
“Edhe sa i përket Korridorit 8, ne garantojmë se gjitha bisedimet me Bechtel dhe Enka shkojnë në drejtim të zgjidhjes së të gjitha problemeve, që dinamika e realizimit të punëve në terren të jetë sipas marrëveshjes, sepse atë që e kemi thënë më herët, që kemi alarmuar opinionin, po e shohim tash dhe sigurisht që edhe drejtori edhe ministri do të dalin shpejtë me një raport edhe më të detajuar që aty BDI me në krye me Artan Grubin dhe drejtorin e ndërmarrjes kanë bërë vepra për të cilat ndoshta do të duhet të përgjigjen”, deklaroi Kasami në Daily Click.

Turbullirat që shoqërojnë këtë projekt, mbase do të qartësohen pasi të publikohet kontrata e qeverisë së kaluar me “Bechtel&Enka”. Ministri Nikolloski përsëriti zotimin se opinioni më në fund do ta shohë Marrëveshjen me “Bechtel Enka” dhe prandaj do të insistojë që prej saj të hiqet velloja e “sekretit shtetëror”. Projekti i ndërtimit për segmentet e Korridoreve 8 dhe 10D përfshin 7 kryqëzime, 34 ura, 34 mbikalime dhe 24 nënkalime.

“ Marrëveshja është klasifikuar si sekret shtetëror, që sipas meje, mendoj se nuk është në përputhje me ligjin sepse në Maqedoni është shumë e qartë se çfarë mund të klasifikohet. Mendoj se ka qenë ideja e partnerit për të nënshkruar një kontratë klasike në të cilën nuk bëhen të ditura detajet e konkursit, por është krejtësisht ndryshe të firmosësh një kontratë të klasifikuar. U takova me përfaqësuesit e konsorciumit, si Bechtel ashtu edhe Enka, kërkova që kontrata të deklasifikohet, por të dyja palët të japin pëlqimin dhe shpresoj të ndodhë kjo. Nuk është diçka që nuk dihet për opinionin, më e rëndësishmja është se çfarë mund të marrë Maqedonia nga ajo marrëveshje dhe mendoj se sipas kornizës mund të marrim më shumë kilometra në të njëjtën shumë financiare që është dakorduar”, tha Nikollovski.

Nga ajo që ka dalë deri tani në opinion, krijohet bindje se “bartësit” kryesorë të marrëveshjes në kohën kur e kanë nënshkruar, kanë qenë të bindur se gjithmonë, ose së paku edhe 8 vite do të jenë në pushtet. Gjërat ndryshuan papritur me zgjedhjet e 9 majit dhe tani po afrohet koha për llogaridhënie. Hotelet e shitura në mënyrë misterioze, djegia e Audive të shtrenjta që kanë figuruar në emër të dikuj tjetër, e janë shfrytëzuar nga dikush tjetër, por edhe shumë gjëra të dyshimta tani do të dalin në shesh dhe e gjithë kjo do të jetë një mundësi e mirë që gjeneratat e ardhshme politike të nxjerrin mësim se si nuk duhet punuar./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More