Marrëveshja Shqipëri-Itali, do të kthehet edhe grupi i dytë i emigrantëve

nga Xh M

Edhe grupi i dytë i emigrantëve të paligjshëm që mbërritën në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve, do të rikthehen përsëri në Itali, raporton Anadolu.

Shtatë emigrantët janë transportuar nga kampi i Gjadrit drejt portit të Shëngjinit në Qarkun e Lezhës, në pritje për t’u nisur drejt Italisë, pas vendimit të një gjykate në Romë që pezulloi ndalimin e emigrantëve.

Grupi i dytë i emigrantëve mbërriti në Shqipëri më 8 nëntor dhe qëndruan për disa ditë në kampin e ngritur nga autoritetet italiane në Qarkun e Lezhës.

Një gjykatë në Romë ka pezulluar vendimin e saj për ndalimin e shtatë emigrantëve në qendrën e pritjes në Shqipëri, duke e referuar çështjen për opinion në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Vendimi paraqet një pengesë tjetër për marrëveshjen e diskutueshme midis Italisë dhe Shqipërisë.

Edhe grupi i parë i emigrantëve të paligjshëm që mbërriti në Shqipëri më 16 tetor u rikthye përsëri në Itali, pas vendimit të një gjykate italiane.

Qendrat e pritjes që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.

Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit

Më 6 nëntor 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.

Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt 2024.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More