Shkup, 24 prill – Gjykata e pranoi propozimin e prokurorisë dhe përcaktoi masa të kujdesit për kryetaren e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska, e cila dyshohet në kuadër të hetimit për lëndën “Aditiv”.
“Lidhur me të dyshuarën T.D. e cila vonë pasdite është sjellë para gjykatësit të procedurës paraprake në lidhje me vazhdimin e aksionit të njohur në publik si ‘Aditiv’, pas deklaratës së saj lidhur me propozimin e Prokurorisë Publike për përcaktimin e masave të kujdesit dhe të sigurisë, është marrë vendim me të cilin PRANOHET propozimi i PTHP NKOK dhe përcaktohen masa të kujdesit sipas pikës 3 dhe pikës 7 gjegjësisht Marrje të përkohshme të dokumenteve të udhëtimit dhe ndalesë për dhënien e të rejave; dhe Ndalesë për ndërmarrjen e aktiviteteve të caktuara të punës lidhur me veprën penale”, informojnë nga Gjykata Penale.
Paraprakisht nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit thonë se në kuadër të lëndës “Aditiv” nga dëshmitë e grumbulluara është marrë Urdhër për zbatimin e hetimit për edhe tre persona.
Lënda “Aditiv” ka të bëjë me hetim për keqpërdorim të furnizimeve publike dhe pastrim parash lidhur me furnizimin e aditivëve për qymyr për nevojat e SHA EMV – Filiali KME Manastir dhe KME Osllomej. Akuzohen 31 persona fizikë dhe 5 persona juridikë.
Sipas prokurorisë, të dyshuarit kanë organizuar dhe kryer riregjistrimin e personave juridikë për të anashkaluar procedurat e furnizimit publik, duke u mundësuar kompanive të caktuara të marrin marrëveshje dhe të përfitojnë pasuri të konsiderueshme.