Masakra nga forcat serbe në Poklek, Osmani: Viktima gjashtëmuajshe e kishte emrin Liri, ata që kanë urdhëruar masakrën kanë marrë medalje nga Vuçiqi

nga D V

Me rastin e 25 vjetorit të masakrës në fshatin Poklek i Vjetër të Komunës së Drenasit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca bënë homazhe pranë varreve të të vrarëve.

E para e vendit, Vjosa Osmani tha se masakra në Poklek është ndër masakrat më të tmerrshme dhe mizore që është kryer ndaj fëmijëve, pleqve, grave e foshnjave.

Ajo tha se kryerësit e krimeve, jo vetëm që nuk janë dënuar, porse po marrin medalje e po promovohen nga Aleksandër Vuçiq.

Osmani theksoi se thirrja për çdo përvjetor është të vihet drejtësi për kriminelët, që shtoi se dihen me emër e mbiemër.

“Sot më 17 prill është një prej përvjetorëve më të rëndë për Republikën e Kosovës, për shkak se përkujtojmë shumë nga masakrat e kryera ndaj civilëve e këtu në Poklek, është ndër masakrat më të tmerrshme, më mizore, një holokaust për nga ngjashmëria dhe mizoria, që është kryer ndaj fëmijëve, pleqve, grave, njerëzve të pambrojtur, ndaj foshnjave gjashtëmuajshe.

Në Poklek, në shtëpinë që do ta vizitojmë së shpejti, janë djegur disa herë radhazi civil, të cilët nuk u kursyen pavarësisht moshës.

Janë ekzekutuar foshnjat siç e thashë edhe fëmijë të cilët e tëra çfarë donin dhe prisnin ishin të jetojnë të sigurt, të jetojnë me prindërit e tyre dhe të jetojnë të lirë.

Viktima më e vogël e kësaj masakre kishte emrin Liri, gjashtëmuajshe, si simbolikë për sakrificën që edhe liria por edhe gjitha familja e saj do ta bënin në mënyrë që ne sot të jetojmë të lirë. Në këtë përvjetor dhe çdo përvjetor tjetër, thirrja jonë është për drejtësi. Ata që kanë urdhëruar për këtë masakër dihen me emër dhe mbiemër.

Qendra për të Drejtat Humanitare ka mbledhur provat për personin që atë dite ishte në krye të forcave policore, që kanë djegur dhe ekzekutuar këto familje. Por, për fat të keq ata që kanë urdhëruar lëre që nuk janë dënuar, por kanë marrë medalje dhe promovime nga Aleksandër Vuçiq, i cili sot është në krye të Serbisë”, tha Osmani.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se sot po bëhen 25 vjet nga masakra më e tmerrshme që ka ndodhur në Kosovë.

Ai potencoi se para 25 vjetëve, në Poklek ndodhi një prej akteve më të rënda të gjenocidit që Seria kreu mbi popullatën civile të Kosovë. Konjufca tha se vrasja e 25 fëmijëve në këtë masakër, tregon qëllimin e vërtetë gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e popullit të Kosovës.

“Po bëhen 25 vjet prej kur ka ndodhur njëra nga masakrat më të tmerrshme në Republikën e Kosovës. Pra, këtu 25 vjet më parë ndodhi një prej akteve të rëndë të gjenocidit që Serbia okupatorë i kreu mbi popullatën tonë civile. Nga 54 që i vrau, 25 ishin fëmijë, këtu në Poklek, gjë që e tregon qëllimin e vërtetë gjenocidal të Serbisë, sepse gjithkush e shtron pyetjen e natyrshme, çfarë faji kishin fëmijët që t’i vrajë Serbia? Të vetmin faj në thonjëza, që ata e kishin ishin pse ishin shqiptarë. Kjo ishte arsyeja pse ishin ekzekutuar ata, gjë që tregon se qëllimi përfundimtar i Serbisë ishte shfarosja e popullit tonë. Kurse ne, jo vetëm që e kujtojmë me pikëllim këtë masakër, por edhe ndihemi të poshtëruar si popull meqenëse nuk erdhi kurrë drejtësia për këto krime që i kryen forcat e armatosura serbe të ushtrisë dhe policë”, tha Konjufca.

Në homazhe iu ka bashkuar edhe kryetari Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. /kp/

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More