Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së bashku me Institutin për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (International IDEA) dhe me Qendrën e Sundimit të Ligjit pranë Universitetit të Helsinkit, organizuan tryezën e diskutimit dhe konsultimit, “Balanca mes vetërregullimit dhe rregullimit ligjor në fushatat zgjedhore, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025”.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte diskutimi mbi dy përqasje të ndryshme, por njëkohësisht plotësuese në lidhje me fushatat online si vetërregullimi dhe rregullimi ligjor. Konferenca synoi të analizojë sesi vetërregullimi dhe rregullimi më i madh ligjor mund të shkojnë paralelisht për të mbështetur zhvillimin e fushatave zgjedhore transparente dhe të ndershme në Shqipëri.
Së bashku me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, Tuija Brax, drejtoreshën e Qendrës së Sundimit të Ligjit, Universiteti i Helsinkit, Sam Van Der Staak, drejtorin e Programit Rajonal i Evropës, International IDEA, Kreshnik Radoniqi, kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, morën pjesë dhe shkëmbyen ide dhe përvoja edhe ekspertë ndërkombëtarë, përfaqësues institucioneve shtetërore, të partive politike, shoqërisë civile ndërkombëtare dhe vendase.
Shfaqja dhe zhvillimi i medieve sociale gjatë dekadës së fundit ka ndryshuar mënyrën se si zhvillohen fushata elektorale.
Ritmi i shpejtë i digjitalizimit të fushatave politike ka sjellë dilemën e rëndësishme: A mund të arrihet transparenca dhe drejtësia e fushatave elektorale përmes vetërregullimit apo rregullimit dhe a mund (ose duhet) kuadri ligjor të ndjekë sfidat e paraqitura nga një mjedis gjithnjë e në zhvillim.
Të pranishmit dakordësuan se mekanizmat vullnetarë, vetërregullues dhe jo konkurrues, duhen parë si plotësuese me instrumentet rregullatorë në duart e agjencive/institucioneve mbikëqyrëse dhe se bashkëpunimi ndërinstitucional është i nevojshëm për të trajtuar sfidat komplekse.
Krahas përvojave të zgjedhjeve të Parlamentit evropian të 2024, dhe të disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, u diskutua dhe nisma e përbashkët me National Democratic Institute (NDI) për Kodin e Sjelljes në fushatën zgjedhore online.
Në Shqipëri, së bashku me Qendrën për Sundimin e Ligjit të Finlandës dhe Institutin Kombëtar Demokratik, International IDEA po bazohet në përvojën e kaluar në zgjedhjet holandeze dhe evropiane për të hartuar një kod i ngjashëm i sjelljes përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.