Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Mbetja pa opozitë te shqiptarët do të hapë vrima që nuk iu dihet fundi!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 8 gusht – Rezultatet e fundit zgjedhore duket se kanë shtuar apetitet e çdo partie që të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme. Në veçanti partitë shqiptare duan që të gjitha të bëhën pjesë e pushtetit dhe në këtë mënyrë ta lënë skenën politike pa asnjë parti opozitare. Por sa e dëmshme është kjo formë e bërjes politikë!

Të gjithë të gatshëm të bëhen pjesë e qeverisë

Nga deklaratat e fundit të partive politike mësohet se gati çdonjëra është pranë pjesëmarrjes në qeveri. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka zhvilluar takime me kreun e ASH-së, Zijadiin Sela, atë të Aletrantivës, Afrim Gashi, si dhe me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. Bisedime ka zhvilluar edhe me PDSH-në e Menduh Thaçit, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në qeveri.
Nga LSDM-ja kanë njoftuar se zhvillohen negociata serioze me kryetarët e partive politike, me grupe të punës, anëtarë të udhëheqësive të partive për formimin e Qeverisë me mandat të plotë të ri katërvjeçar, të mbështetur nga shumica e qëndrueshme në Parlament.

Bisedimet zhvillohen për konfirmim të angazhimeve të të gjithë qytetarëve për paqe, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në vend dhe rajon, marrëdhënie të shëndosha ndëretnike dhe fqinjësore, zhvillim ekonomik, shtet ligjor, mjedis të pastër jetësor dhe mirëqenie shoqërore.

Qëllimi i qeverisë së ardhshme është të ketë një shumicë parlamentare dhe koalicion për mandat të plotë, katërvjeçar, të qëndrueshëm, ndërsa nuk ka alternativë tjetër për integrim, përveç anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Nga LSDM-ja pohojnë se negociatat zhvillohen për Qeveri e cila është e gatshme të punojë, të lëviz shpejt përpara, përmes rrugës evropiane të ekonomisë dhe të drejtësisë.

Pse të gjithë duan të bëhen pjesë e pushtetit!

Zoran Zaev ka arritur të grumbullojë 46 deputetë dhe me 61 arrin që të formojë qeverinë e ardhshme. Me 15 deputetë e BDI-së ai e arrin qëllimin dhe me një deputet të PDSH-së, do të kishte 62 deputetë. Por, duket që LSDM kërkon një shumicë më të fuqishme, e cila nuk do të ketë luhatje në të ardhmen. Për këtë arsye, ai kërkon që në qeveri të marrë edhe koalicionin ASH-AAA, me të cilët do të kishte 74 deputetë, e që në këtë rast shqiptarët do të mbeteshin pa opozitë.

Është absurde të mendohet për insistimin e ASH-AAA të marrë pjesë në fomrimin e qeverisë! Rritja e tyre mund të vijë vetëm nëse ata bëjnë opozitarizëm të fortë. Por kjo ka edhe rrezikun e vet, sepse anëtarësia e ASH-AAA-së nuk është e gatshme të qëndrojë edhe kaq shumë në opozitë dhe në këtë mënyrë të zbehet përkrahja për këto parti.

Nga ana tjetër, Zaev me pjesëmarrajen në pushtet të ASH-AAA ka edhe qëllime të tjera siç është zbehja e pozitës së BDI-së dhe ulja e pazarit gjatë formimit të koalicionit. Në këtë mënyrë, shqiptarët do të kenë më pak peshë në psuhtet, sepse nga kulaçi i qeverisë do të duhet të gjithëve t’iu japin nga një pjesë.

Gjithashtu një tjetër problem është edhe fakti se pas formimit të qeverisë, nëse ka pakënaqësi nga ndonjë parti, të ekzistojë mundësia e përjashtimit të tyre dhe pa e ndjerë rrezikun për mbajtje të partisë. Këtë mund ta bëjnë duke marrë votat edhe të ndonjë deputeti nga partitë maqedonase, që shpeshherë duket se mund të ndodhë në këtë shtet.

Rreziku nga mbetja pa opozitë

Të gjithë partitë shqiptare kanë deklaruar se janë të gatshme të marrin pjesë në qeveri, por në këtë mënyrë mund të ndodhë për herë të parë që shqiptarët të mbeten pa një opozitë.

Që nga pavarësimi i Maqedonisë e deri më tani, shqiptarët por edhe maqedonasit kanë pasur çdoherë parti në pushtet dhe në opozitë. Në momente kyçe ka pasur qeveri teknike ose gjithëpërfshirëse, por kjo vetëm për periudha të shkurtëra.

Duke i marrë parasysh lojërat politike të kohëve të fundit, duket se shqiptarët do të mbeten pa opozitë e kjo mund të jetë e dëmshme për një zhvillim demokratik të partive politike shqiptare.

Kundër idesë për të mbetur pa opozitë deri më tani ka dalë vetëm partia BESA, e cila është në koalicion qeveritar me LSDM-në.

Arianit Hoxha nga kjo parti ka thënë se konform verdiktit të sovranit, duhet që detyrimisht shqiptarët të kenë opsion opozitar, ndërsa ai personalisht ka thënë se nëse gjitha partitë shqiptare duan të bëhen pjesë e Qeverisë, ai do të lobonte që Lëvizja BESA, edhe përkundër faktit se është fituese dhe që siguruam mandatin e koalicionit “MUNDEMI”, të shqyrtojë mundësinë që me deputetët e tyre të kalojnë në opozitë dhe mos të lejojmë që shqiptarët të mbeten pa opozitë në vend.

Mbetja pa opozitë është rrezik në vetvete për zhvillimin normal të demokracisë, pa pasur mundësi që të korrigjohet puna e pushtetit. Nëse nuk ka parti në pushtet, hapet rruga për formimin e partive të reja politike, të cilat do të kundërshtojnë punën e pushtetit. Një njoftim i i tillë erdhi nga Albin Kurti, i cili hapi dyert për formimin e Lëvizjes Vetëvendosje edhe në Maqedoninë e Veriut. Mbetja pa opozitë hapë shumë vrima të reja që pastaj nuk iu dihet fundi.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...