Shkup, 22 prill – Gojën plotë kritika ndaj institucioneve por duarshlirë në hudhjen e mbeturinave. Një kronikë televizive e përgatitur enkas për të transmetuar gjendjen e këndit të lojrave në parkun e qytetit të Kumanovës, sjelli pamje tmerruese teksa mbeturina ka më shumë në tokë sesa në kosh të plehrave. Normalisht, që institucionet përgjegjëse, gjegjësisht, Ndërrmarrja për pastrim dhe gjelbrim duhet të kujdeset për këtë pjesë. Por, për të jetuar në një qytetet të pastër është e patjetërsueshme edhe aleanca me ndërgjegjësimin e vetë qytetarëve. Teksa shihen koshet e plehrave të mbushura pse duhet të hudhen mbeturinat shtesë në tokë? Hapësirat publike janë pronë e jonë e përbashkët, nuk duhet t’ii dëmtojmë, t’i uzurpojmë, t’i mbushim me mbeturina e të tjera, por nevojitet vetëm kujdes sikurse për pronat tona private asgjë më shumë e as më pak, shkruan Zhurnal.
Këndi i lojrave për fëmijë në parkun e Kumanovës i mbuluar nga mbeturinat – Qytetarët kërkojnë pastrim urgjent –
Pamje shqetësuese vijnë nga këndi i lojërave për fëmijë në parkun e qytetit të Kumanovës, ku mbeturinat e hedhura nga qytetarët kanë mbuluar zonën përreth. Në vendin ku fëmijët duhet të luajnë të lirë dhe të sigurt, janë shfaqur skena të papërshtatshme dhe alarmuese për shëndetin publik.
Ekipi i Televizionit Alsat ishte në vendin e ngjarjes dhe bisedoi me disa qytetarë të shqetësuar, të cilët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet.
“Është turp që një vend ku vijnë fëmijët tanë të jetë kaq i ndotur. Ne si prindër nuk ndjehemi rehat ta lëmë fëmijën të luajë këtu”, thotë Valbona Imeri, një nënë e cila çdo pasdite shoqëron vajzën e saj në park.
Një tjetër qytetar, Shpend Azizi, shton: “Ky problem përsëritet shpesh. Mungon një pastrim i rregullt, por edhe qytetarët sillen papërgjegjshëm. Duhet të ketë më shumë kontrolle dhe gjoba për ndotësit.”
Pamjet e siguruara nga vendi tregojnë kosha të tejmbushur, mbeturina plastike dhe mbetje ushqimore të shpërndara në gjithë hapësirën. Ndërsa zona përreth lodrave për fëmijë është në gjendje të mjerueshme, autoritetet komunale ende nuk kanë reaguar.
Qytetarët kërkojnë që Komuna e Kumanovës dhe Ndërmarrja Publike për pastrim dhe gjelbrim, të marrin masa konkrete për pastrimin dhe mirëmbajtjen e përditshme të hapësirave publike, si dhe vendosjen e kamerave ose patrullave për të parandaluar ndotjen.
“Nuk mund të bëhet qyteti i pastër pa ndërgjegjësim dhe pa përgjegjësi nga të gjitha palët,” – përfundon Imeri.
Qytet i pastër ekologjik vetëm me qytetarë që kujdesin për hapësirat publike –
Zakonisht, është instaluar një praktikë e mbrapsht te një numër masiv i qytetarëve se çdo gjë që është publike nuk është e jona. Pra, sikurse është shfaqur një tendencë e pakuptimtë që hapësirat publike uzurpohen, dëmtohen, vidhe gjërat, hidhen mbeturina. Kjo qasje dëmton hapësirat publike që pastaj humbet legjitimiteti moral për të kërkuar përgjegjësi ndaj organeve drejtuese.
Gojën plotë kritika ndaj institucioneve por duarshlirë në hedhjen e mbeturinave. Kjo mënyrë e të vepruarit do të ndihmonte vendin, komunat, qytetet e qytetarët që të rrehtohen e jetojnë në ambiente sa më ekologjike. Assesi nuk duhet ndaluar kërkuari përgjegjësi dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse. Por, ama duhet vetvetiu një ndërgjegjësim i patjetërsueshëm kolektiv, sepse gjërat ndryshe nuk ndryshojnë.
Megjithatë, nga deklaratat e qytetarëve kuptohet që mes tjerash kanë pranuar fajin e tyre dhe kanë kërkuar kamera sigurie për të gjobitur ata që e bëjnë këtë gjë. Por, assesi nuk duhet të rrëshqasim në atë prizëm që metodë edukuese të jetë ndëshkimi. Sepse, kjo mënyrë i takon qenieve tjera dhe jo qënieve racionale.
Pra, para se të kërkojmë e kritikojmë për mjedis jo ekologjik duhet t’i kontrollojmë veprimet tona të cilat shpien dhe pasojnë me situatën reale. Pasi mbeturinat nuk bien nga qielle janë prodhim i yni që ne i hedhim vend e pa vend, kjo pastaj kur përsëritet çdo ditë nga shumë njerëz bëhet shumë, bëhet tepër, saqë del situata nga kontrolli. Më shumë ta duam hapësirën publike, të kujdesemi, ta ruajmë, mos ta dëmtojmë, sepse çdo pëllëmbë e hapësirës publike na takon neve, është pronë e jona e përbashkët. /Zhurnal.mk