Shefja e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga BE Nathalie Loiseau deklaroi se mbi 100 vëzhgues do të shpërndahen në terren për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ajo në një konferencë për media sot tha se parimi themelor i Misionit për Vëzhgimin e zgjedhjeve janë paanshmëria dhe profesionalizmi.
“Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe prania e tij në teren ka për synim të vëzhgoj dhe vlerësoj se si procesi zgjedhor e respekton ligjin për zgjedhjet në Kosovë. Por, edhe standardet ndërkombëtare si dhe rekomandimet e më hershme që ne i kemi bërë në mënyrë që të kontribuojmë në një proces zgjedhor kredibil, gjithëpërfshirës dhe transparent. Objektivi është që votuesit të jenë në gjendje të shprehin zgjedhjet e tyre. Prania e Misionit po ashtu thekson mbështetjen e vazhdueshme të BE për Kosovën që të fuqizoj edhe më tej qeverisjen demokratike. Ne po ashtu e paraqesim këtë rëndësi edhe në numra. Në momentin e zgjedhjeve do të jenë mbi 100 vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë që do të jenë të shpërndarë në terren. Prandaj Misioni i BE-së është i vetmi mision i plotë ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve me prani afatgjate që do të vëzhgojë zgjedhjet parlamentare në Kosovë në këtë vit”, tha Loiseau.
Loiseau tha se të dielën më 19 janar do të vijnë 18 vëzhgues afatgjatë nga 18 shtete të ndryshme të cilët do të shpërndahen nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Ajo potencoi se vëzhguesit afatgjatë janë të pavarur dhe të paanshëm.
Përveç kësaj, shefja e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian theksoi se pak para datës së zgjedhjeve, misioni do të përforcohet edhe me 36 vëzhgues afatshkurtër.
“Nesër në mëngjes në ora dhjetë ne do të sjellim 18 vëzhgues afatgjatë dhe do t’i shpërndajmë ata nëpër Kosovë…Vëzhguesit afatgjatë janë nga 18 shtete të ndryshme përfshirë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Norvegjia dhe Zvicra. Ata do të punojnë në 9 ekipe me nga dy persona që janë të kombinuar për nga aspektin nacional dhe gjinor. Ata do të bëjnë vlerësimin e përgatitjes për zgjedhje dhe do të mbulojnë të gjitha komunat. Vëzhguesit afatgjatë janë të pavarur dhe të paanshëm. Janë thelbësor për misionin e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve për të zhvilluar apo bërë një vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor… Pak para datës së zgjedhjeve misioni do të përforcohet edhe me 36 vëzhgues afatshkurtër. Një delegacion i shtatë anëtarëve të parlamentit evropian dhe deri në 36 diplomatë nga shtetet anëtare të BE-së, Kanada, Norvegjia dhe Zvicra. Parimi themelor i misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve të BE-së janë pavarësia, paanshmëria, konsistenca, qasja afatgjate, profesionalizmi dhe mos përzierja. Përgjegjësia e misionit tonë është që të vëzhgojë procesin zgjedhor”, tha Loiseau.
Kjo është hera e shtatë që BE është duke vëzhguar zgjedhjet në Kosovë. Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve nga BE dy ditë pas zgjedhjeve do të mbajë edhe një konferencë për media, ku do të ndahet deklarata preliminare e misionit. Ndërsa pas dy muajsh do të publikohet raporti gjithëpërfshirës.