Agjencia Zhurnal.mk

Mbresa nga koncerti i perëndeshës artistike, Shkurte Fejza

Viti jubile, 45 vjetori karrieristik i artistes së zemrës shqiptare Shkurte Fejza, u kurorëzua me koncertin madhështor të datës 23 dhjetor 2019. Ky tubim i organizuar si më mirë, bëri bashkë qindra artdashës, kolegë e familjarë të artistes në sallën koncertale të televizionit Klan Kosova. Koncerti nisi me fjalimin e vetë nikoqires së mbrëmjes, e cila iu drejtua publikut me falënderime për përkrahjen e pakursyer ndër vite. Modestia e saj është edhe vetë arsyeja që publiku e mban në zemër. “Kam qëndisur një shami” shënoi fillimin e ahengut muzikor, këngë kjo që flet për lidhjen e një çifti të ri me tradita dhe që u kuptua se tematika kishte lidhje me rininë e vet artistes. Kënga e dytë “Edhe malet po lotojnë”, mbushi me lot e përmallim publikun, nga vetë mesazhi i këngës për brezat e rinj që marrin rrugën e kurbetit. Pastaj këngët “Bien tri daire”, “Ra faja prej fikut”, krijuan atmosferë festive në sallë, sa nga zëri kumbues i artistes, aq edhe nga mjeshtëria orkestrale. Pjesën e dytë të koncertit e vazhdoi Gressa Behluli, e bija e artistes, e cila me potpurinë e këngëve madhështoi edhe më shumë recitalin e nënës së saj, për të sjellur më pas këngën e fillimit të karrierës së tyre të përbashkët “Xhamadanin qëndis nana”. Ishin këngët “E kam emrin kosovar”, “Xhamadani vija-vija”, “Oj Kosovë oj nana ime” dhe “Mora fjalë” ato që elektrizuan emocionet e publikut për t’u ngritur në këmbë e kënduar bashkë me artisten e zemrave të tyre. Emocionet janë të papërshkruara për një mbrëmje gala të kësaj përmase, aq sa brohoritjet e publikut rikthyen në skenë për të disatën herë artisten duke kënduar edhe ata sikur zëri i saj të ishte motivi kryesor i atdhedashurisë. Mbrëmja u mbyll me fjalët “humoristike” të artistes tashmë të “blinduar” nga duartrokitjet e publikut, me fjalët: “Mos më lazdroni shumë, sepse edhe 100 vjet do më keni kështu në skenë”. E ku ka dhuratë më të bukur se kur të don me zemër vetë populli Yt! /Arsim Kolari/

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...