Avokatët e ish-eprorëve të UÇK-së deklaruan të mërkurën më 23 prill se do të paraqesin së bashku parashtrim sa i përket mocionit për rrëzimin e aktakuzës.
Në konferencën mbi ecurinë e çështjes që po mbahet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ata kërkuan afat deri në mes të qershorit për të bërë dorëzimin.
Edhe mbrojtja e Veselit, avokati Dixon tha se mesi i qershorit duhet të jetë koha për paraqitjen e parashtrimit.
“Ne kërkojmë që mesi i qershorit të ishte koha kur duhet të paraqesim parashtrimin tonë”, tha Dixon.
Sipas mbrojtjes së Thaçit, kjo nuk nënkupton zgjatje të afatit.
“Ne nuk e quajmë zgjatje por shtyrje të afatit, sepse nuk e dinim që kishte kaq shumë material… Duke marrë parasysh faktin që do të paraqesim parashtrim së bashku të gjithë, propozojmë të jetë 20 mijë fjalë, secili nga ne ka të drejtë të paraqesë nga 6 mijë fjalë, kështu do të ishte 4 mijë fjalë më pak se nga çka na takon”, tha ai.
Konferenca po vazhdon me fjalën e mbrojtësit të viktimave.
Ish-eprorët e UÇK-së ngarkohen për krime të pretenduara të luftës për të cilat të gjithë prej tyre janë deklaruar të pafajshëm.
Ata ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 dhe çështja e prokurorisë ka përfunduar pas dy vjet të procesit gjyqësor.