Bashkimi Evropian pret nga qeveria e Kosovës, ta rishqyrtojë dhe ta trajtojë çështjen e mbylljes së degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, në kuadër të dialogut në Bruksel.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha sot se veprimet e autoriteteve në Prishtinë ishin të njëanshme, të pabashkërenduara dhe dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.
“Fakti që Bashkimi Evropian vendosi masat kundër Kosovës vitin e kaluar është pasqyrim i hapave që çuan në përshkallëzim. Tani shohim më shumë hapa të njëanshëm, më shumë veprime të pabashkërenduara. Ky nuk është në të vërtetë shtensionim, kjo çon në përshkallëzim të mëtejshëm dhe mendoj se kjo duhet të kuptohet shumë qartë nga ata që i marrin këto vendime në Prishtinë”, tha Stano.
Ai tha se Serbia dhe Kosova kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 për telekomunikacionin, dhe është thënë se shërbimet postare do të diskutohen në një periudhë të mëvonshme.
Shtetet e Bashkuara u shprehën “thellësisht të zhgënjyera” me ato që ato quajtën “veprime të njëanshme dhe të pa bashkërenduara të qeverisë së Kosovës”, për mbylljen e degëve të Postës Serbe në veri të Kosovës.
Përmes një komunikate ambasada amerikane në Prishtinë tha se “veprimet e pa bashkërenduara i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe dëmtojnë emrin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.
Veprimet e një dite më parë u dënuan edhe nga ambasadorë të tjerë të vendeve evropiane në Kosovë.
Operacioni nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Serbi dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë. Sipas tyre “me veprimet e fundit në veri të Kosovës, qeveria e Albin Kurtit po synon të provokojë një konflikt”.