Shkup, 14 tetor – Me dëshminë e nënës së Vanjës, Zorica Gjorçevska, në Gjykatën penale të Shkupit sot ka vazhduar gjykimi për vrasjen e dyfishtë ndaj të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi.
Në seancën e sotme është paraparë të dëshmojnë edhe familjarët e Zhezhovskit, Ana Kirkova dhe Todor Kirkov.
Në gjykatë janë të pranishëm të akuzuarit Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski.
Të akuzuarit në seancën e fundit para Gjykatës u deklaruan se nuk ndihen fajtorë, me çka mbrojtja e tyre do të ofrojë prova shtesë.
Sipas aktakuzës, ata së bashku planifikuan rrëmbimin e vajzës 14-vjeçare me qëllim për të detyruar anëtarë të familjes së saj të ngushtë që të ofrojnë para.
Më 22.11.2023, i akuzuari kryesor së bashku me tre të akuzuar të tjerë paraprakisht, së bashku kanë kryer rrëmbimin e të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles, me qëllim që ta detyrojnë që t’ua japë automjetin e tij “Citroen” që ta shfrytëzojnë për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.
Minorenja Vanja dhe Pançe nga Velesi, të cilët u raportuan si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023.
Lidhur me këtë rast dyshohet edhe një person për ndihmë pas kryerjes së veprës penale ndaj të cilit procedura do të zhvillohet ndaras.
Gjykimi udhëhiqet nga gjykatësi Ivica Stefanovski, ndërsa përfaqësues i akuzës është prokurorja Zhaklina Kërstevska.