Shkup, 14 tetor – Mjedisi është pjesë e pandashme e jona, nëse jetojnë në një mjedis të pastër e të gjallëruar i bie që jemi duke jetuar jetë cilësore dhe produktive. Në të kundërtën bëhet mbijetesë në kushte mizoreske. Fatkeqësisht, në vendin tonë shpesh herë çështja e mjedisit ka qenë e pa rëndësishme për faktin se me Ministrinë e Mjedisit është tregtuar. Prandaj, edhe kryeqyteti i vendit radhitej ndër qytetet më të ndotura në botë. Prandaj, deponi të egra kishte pothuajse në çdo komunë të vendit, e shumë e shumë parregullsi të tjera. Megjithatë, gjërat tani kanë ndryshuar pasi inspektorati mjedisit ka zbarkuar në terren për të gjobitur, shkruan Zhurnal.
Merren masa të menjëhershme në ruajtje të mjedisit –
“Inspektorët e mjedisit jetësor të qytetit të Shkupit, sot kanë gjetur një banor të komunës së Butelit duke hedhur sasi të mëdha të mbeturinave në territorin e komunës së Karposhit në drejtim të Vizbegut”, njofton qyteti i Shkupit.
Në njoftim thonë se ndaj personit Z.M. do të bëhet kallëzim penal për dëmtim të konsiderueshëm të cilësisë së ajrit, ujit dhe tokës, pra rrezik për jetën dhe shëndetin e njerëzve, vepër e dënueshme me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.
“Para një ore inspektorët e mjedisit jetësor të qytetit të Shkupit kanë konstatuar dhe evidentuar hedhjen e sasive të mëdha të mbeturinave, duke bërë një deponi të egër dhe të djegur në territorin e komunës së Karposhit në drejtim të Vizbegut. Qyteti i Shkupit do të paraqesë kallëzim penal për shkaktim të rëndë të cilësisë së ajrit, ujit dhe tokës, gjegjësisht rrezik për jetën dhe shëndetin e njerëzve, për vepër penale të kryer nga personi Z.M, banor i komunës së Butelit, në pajtim me me nenin 218 të Kodit Penal, vepër e dënueshme me burgim nga katër deri në dhjetë vjet”, thuhet në njoftim.
Nga qyteti i Shkupit thonë se në territorin e Shkupit janë gjithsej 14 institucione që kanë kompetencë dhe obligim të veprojnë në situata të tilla, duke theksuar se gjatë fundjavës inspektorët e mjedisit jetësor të qytetit të Shkupit, si dhe inspektorët komunalë. kanë sanksionuar mbi 20 qytetarë.
“Deri më tani vetëm qyteti i Shkupit është duke reaguar, ndërsa të tjerët nuk po veprojnë, edhe pse e kanë obligim ligjor ta bëjnë të njëjtën gjë. Inspektorët e mjedisit jetësor të qytetit të Shkupit dhe inspektorët komunalë gjatë fundjavës kanë sanksionuar mbi 20 autorë”, thuhet në njoftim.
Ata shtojnë se sivjet kanë ngritur disa kallëzime penale për hedhjen e mbeturinave të rrezikshme dhe rrezikim të mjedisit për përgjegjësi penale ndaj autorëve të gjetur duke hedhur mbeturina të rrezikshme, fletë asbesti dhe mbeturina të tjera ndërtimore.
Mjedisi, shëndetësia e arsimi janë po të së njëjtës rëndësi-
Për çështjet shëndetësore e ato arsimore shpesh flitet e diskutohet për mangësitë dhe investimet që duhet bërë, por jo pak flitet edhe për mjedisin por që shihet që nuk është e mjaftueshme ajo që thuhet e bëhet për mjedisin. Mbase, për të funksionuar një shtet normal që është edhe shtet kandidat për anëtarësim në BE çështjet mjedisore nuk duhet t’i trajtojë asnjëherë si çështje dytësore.
Në Maqedoninë e Veriut Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor shpesh herë është udhëhequr nga njerëz jo adekuat e aspak kompetent, të cilët as idenë nuk e kishin se sa i rëndësishëm është ambienti e mjedisi për një shëndet fizik por edhe mental. Madje, në ndarjen e kulaçit qeveritar dhe kur partitë partnere në koalicionet qeverisëse këtë Ministri e kishin si “gomë rezervë” sa për ta bërë ndonjë ministër se për të çuar para çështjet e mjedisit reflekton se nuk është menduar e munduar ndonjëherë.
E këto mbase nuk janë komente e vlerësime koti, sepse po të njëjtën e thonë rezultatet e publikuara për nivelin e ndotjes së ajrit duke e radhitur Maqedoninë e Veriut shumë herë si shtetin me ajrin më të ndotur në Evropë. Në shumë qytete shpesh herë janë regjistruar vlera të larta të ndotjes së ajrit, përkatësisht prania e grimcave kancerogjene PM10 , duke arritur dhjetë herë nga niveli i lejuar. E tani më e kemi edhe Parkun Kombëtar të rrethuar me deponi por që nuk po pastrohen sepse sipas ministres së Mjedisit qytetarët i mbushin sërish. /Zhurnal.mk