Shkup, 3 mars – Zhurnal.mk – Për Planin operativ për programe dhe masa aktive për punësim dhe shërbime të tregut të punës për vitin 2021 janë siguruar një miliard e 516 milionë denarë dhe me të do të përfshihen 10 279 persona, informon sot zëdhënësi qeveritar Dushko Arsovski.
Plani operativ është shqyrtuar dhe pranuar në seancën e djeshme qeveritare. Me të përcaktohen programet, masat dhe shërbimet për punësim të cilat do të sigurojnë krijim të vendeve të reja pune, mbështetje për krijim të vendeve të reja të punës dhe rritje të punësimit të papunëve, veçanërisht të rinjve, të papunët afatgjatë dhe shfrytëzuesit e të drejtës së ndihmës në para të mbrojtjes sociale, si dhe mbështetje të personave të papunë të cilëve përfundimi i punësimit është regjistruar në periudhën e krizës të shkaktuar për shkak të Kovid-19, gjegjësisht nga 11 marsi i vitit 2020.
Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve nëse shteti do të japë mjete sektorit privat për punësim të bashkësive të tjera etnike që të përmbushet përqindje e caktuar në kontekst të premtimit parazgjedhor të partnerit të koalicionit BDI, Arsovski iu referua parimeve në të cilat mbështetet zbatimi i Planit operativ.
“Këtë që mund ta themi si Qeveri është se zbatimi i Planit operativ për masa aktive për punësim mbështetet në disa parime: parimi i diversitetit dhe inkluzivitetit për të gjitha kategoritë shoqërore në sektorin privat në pajtim me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në bazë etnike, gjinore, religjioze, racore, apo ndonjë kategori e ndjeshme në pajtim me standardet dhe praktikat e OKB-së dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Do të thotë, asgjë jashtë kësaj”, tha Arsovski.
Parimi i dytë, shtoi, është përballja me efektet dhe pasojat negative të tregut të punës dhe punësimit të shkaktuara nga pandemia Kovid-19 dhe i treto gjithashtu i rëndësishëm – nxitja e zhvillimit të barabartë rajonal në pajtim me të dhënat e Byrosë për Zhvillim Rajonal dhe Shkallën e Zhvillimit Rajonal Planor në RMV.
Plani operativ 2021, theksoi zëdhënësi qeveritar, përmban masa për personat të cilët janë kohë të gjatë jashtë tregut të punës, ndërsa parashikon edhe mbështetje për punëdhënës, por vetëm nëse kjo do të thotë sigurim të punësimeve të reja dhe rritje të subjekteve juridike.
Në seancën e djeshme qeveritare, mes tjerash, është shqyrtuar edhe plani dhe masat për luftë kundër korrupsionit. Me planin, siç tha Arsovski, po përforcohen kapacitetet dhe vendoset një sistem i sinkronizuar për funksionalitet efikas të institucioneve në rreshtat e parë kundër korrupsionit, për kthim të besimit në to dhe për një shoqëri pa korrupsion