Getting your Trinity Audio player ready...
|
Shkup, 30 janar – Për të qenë besimtar i vërtetë, duhet plotësuar shumë kushte, e mes tyre është edhe sinqeriteti, respektivisht transparenca. Muslimani i vërtetë, njëjtë si besimtarët e vërtetë të konfesioneve tjera, e kanë për obligim të jenë të sinqertë edhe kur u konvenon, por edhe kur nuk u konvenon. Ndryshe janë vetëm besimtarë të deklaruar.
Nëse këto janë obligime për besimtarët e thjeshtë, shumëfish më tepër duhet të jenë obligime për udhëheqësit e tyre. Siecili që ka marrë përgjegjësinë të udhëheqë një komunitet fetar, duhet të “pastrojë hesap” që në fillim me mashtrimet dhe manipulimet dhe të reflektojë sinqeritet, përgjegjësi dhe pastëri maksimale të figurës së tij.
Athua sa mund të lavdërohet me këto virtyte kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahu? Nuk do të analizojmë aspektet tjera, por do të ndalemi vetëm tek sinqeriteti dhe transparenca.
Nga përvoja jonë si media, nuk e kemi kënaqësinë të themi se kryetari i BFI-së shquhet tej mase me këto dukuri edhe pse sinqerisht do të kishim dëshiruar të jetë e kundërta.
Dëshira jonë do të ishte që në këto rreshta të mundeshim të shkruajmë me mburrje dhe krenari se në Maqedoninë e Veriut ka një kryetar të BFI-së me emër Shaqir, e mbiemër Fetahu, i cili nuk fsheh asgjë nga mediat, nga opinioni, e aq më pak nga besimtarët që me kontributet e tyre financojnë në amsë të madhe aktivitetet e institucionit që e udhëheq. Por një kënaqësi të tillë si duket po na e shkurton vetë kryetari Fetahu! Sepse në opinion ka më shumë se një muaj që është paraqitur një informacion se kryetari i BFI-së ka pagë ujore 7.500 euro. Besojmë se do të pajtoheni të gjithë që një pagë e tillë është e lartë edhe për vendet më të pasura me naftë, e jo më për vendin tonë, ku qytetarët mezi lidhin muajin me muajin, kurse edhe në këtë gjendje nuk arrijnë të ndajnë diçka anash, sa për të paguar anëtarësinë e tyre në BFI.
Fillimisht informacioni për pagën 7.500 euro ishte i pabesueshëm edhe për ne edhe për opinionin, aq më tepër kur flitej se veç kësaj page Shaqir Fetahu shfrytëzon edhe shumë beneficione tjera material nga fondi i BFI-së. Për këtë arsye e pamë të nevojshme t’i drejtohemi BFI-së si institucion dhe Fetahut si udhëheqës i saj me pesë pyetje, duke u ofruar mundësinë që të demantojnë këtë informatë, që fillimisht dukej si tendencioze.
Mirëpo, edhe pse ka kaluar një muaj e tepër, për çudinë tonë BFI dhe Fetahu nuk kanë shfrytëzuar mundësinë për të demantuar “7.500 euroshin”, por kanë zgjedhur heshtjen si “përgjigje”. Kjo vetëm ka dëshmuar dyshimet në opinion se informacioni për pagën ka qenë i saktë e jo informatë tendencioze. Njëkohësisht edhe ka shkaktuar revoltë tek qytetarët, që çdo ditë na shkruajnë me kërkesë t’i shkojmë deri në fund këtij skandali, siç e quajnë, e jo të ndalemi.
Pikërisht për shkak të këtij insistimi të qytetarëve, por edhe në funksion të mbrojtjes së interesit publik, Zhurnal ka vendosur të përsërisë pyetjet e dërguara para një muaji në adresë të BFI-së së RMV-së, me shpresë se kësaj radhe do të marim përgjigjet e merituara.
Në vazhdim u sjellim pyetjet e bëra, ku do të vëreni se kemi respektuar plotësisht edhe BFI-në edhe kryetarin e saj:
Të nderuar
Agjencia e Lajmeve Zhurnal, për nevojat e temës që jemi duke e trajtuar në funksion të rritjes së transparencës së institucioneve, u dërgon këto pyetje:
Sa është paga mujore e kryetarit të BFI-së, Shaqir Fetahu?
A është e saktë se për punën e tij të palodhshme kryetari Fetahu mer pagë mujore në vlerë 7.500 euro?
A i bëhet me vonesë paga mujore kryetarit të BFI-së, Fetahu?
Sa është paga mujore e imamëve dhe hatibëve të xhamive dhe sa muaj u vonohet atyre paga?
Sado që pas këtyre pyetjeve kemi marë paralajmërim për padi për për një tekst që kemi botuar në funksion të rritjes së transparencës në BFI, Zhurnal nuk ka ndërmend të ndalet por do të insistojë edhe më tej në transprencë dhe sinqeritet, aq më tepër që kemi përkrahje të fuqishme nga Shoqata e Gazetarëve.
Shaqir Fetahu. me siguri më mirë se të gjithë ne e din se me 7.500 euro pagë nuk shkohet në Xhenet, por shkohet me transparencë dhe sinqeritet. Andaj i bëjmë thirrje miqësore të pendohet dhe të del me dëshmi për të gjitha dyshimet që janë krijuar në opinion. E ka shumë lehtë, vetëm të tregojë dokumentet adekuate që tregojnë se nuk merr pagë aq të lartë! E përsërisim edhe një herë se çdo heshtje e mëtejme vetëm forcon bindjen e opinionit, por edhe të mediave, se paga e tij vërtetë është 7.500 euro. Me pagë të tillë eventuale ndoshta “përmirësohet” xhepi i Shaqir Fetahut, por dëmtohet rëndë reputacioni i tij dhe i BFI-së para opinionit, që në afat të gjatë dëmton tej mase organizimin fetar të komunitetit musliman në Maqedoninë e Veriut. Nëse kjo nuk e shqetëson Fetahun, duhet të shqetësojë qarqet e përgjegjshme në BFI, që e kanë obligim të pengojnë që kjo dukuri vërtetë të ndodhë.