Meksika i dorëzoi SHBA-së narkobosin famëkeq, Rafael Caro Quintero dhe 28 anëtarë të tjerë të kartelit, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Caro Quintero, të cilin autoritetet meksikane e konsiderojnë themelues të kartelit Guadalajara, dyshohet se ishte i përfshirë në rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e agjentit të Administratës Amerikane të Luftës kundër Drogës (DEA), Enrique Camarena Salazar, në vitin 1985. Sipas DEA-s, vrasja e Salazarit ishte hakmarrje për një bastisje të autoriteteve meksikane në një fermë marihuane të Caro Quinteros në vitin 1984.
Caro Quintero kaloi 28 vjet në burg në Meksikë për këtë vrasje, përpara se të lirohej në vitin 2013. Më pas, Gjykata e Lartë e Meksikës anuloi vendimin për lirimin e tij. Pas kësaj, ai u kthye në trafikun e drogës si një nga drejtuesit e lartë të kartelit Sinaloa, sipas FBI-së.
“Caro Quintero, një udhëheqës karteli që shkaktoi dhunë, shkatërrim dhe vdekje në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë, ka qenë për katër dekada në krye të listës së të kërkuarve nga DEA. Sot, më në fund, ai ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara, ku do të përballet me drejtësinë”, tha Derek S. Maltz nga DEA.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Meksikës dhe Sekretariati për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Qytetarëve deklaruan se 29 persona nga burgje të ndryshme në Meksikë u transferuan në SHBA.
Ata ishin të kërkuar për lidhjet e tyre me organizata kriminale të përfshira në trafikimin e drogës.
Në mesin e tyre është edhe Martin Sotelo – i njohur si Alder Marin-Sotelo – i cili dyshohet për vrasjen e zëvendës-sherifit Ned Byrd në Karolinën e Veriut në vitin 2022. Gjithashtu, Antonio Oseguera Cervantes, një nga drejtuesit e CJNG, si dhe dy anëtarë të lartë të Los Zetas, Ramiro Perez Moreno dhe Lucio Hernandez Lechuga.