Mercedes-Benz Vans prodhoi furgonin e 5 miliontë Sprinter në Charleston, Karolina e Jugut, dhe modeli ishte një eSprinter elektrik i destinuar për FedEx.
Sprinter debutoi në vitin 1995, duke zëvendësuar Mercedes TN (T1). Modeli i ri mori një numër karakteristikash sigurie lider në klasën e tij, duke përfshirë ABS dhe më vonë sistemin e stabilitetit ESP, transmeton Telegrafi.
Furgoni kishte një dizajn më aerodinamik, konsum më të ulët të karburantit dhe ishte i disponueshëm me një gamë motorësh të fuqishëm por ekonomikë me benzinë dhe naftë.
Në kohën kur u lansua gjenerata e dytë në vitin 2006, Sprinter ishte bërë një zgjedhje popullore për klientët për një sërë qëllimesh, nga shërbimet e korrierit te bizneset e vogla e deri te kampistët.
Megjithatë, modeli i ri ofroi përmirësime shtesë, ngarkesë më të madhe, një ambient më të gjerë dhe një zgjedhje edhe më të gjerë të stileve të karrocerisë, duke përfshirë minibusë.
Mercedes-Benz gjithashtu ka zgjeruar praninë e saj në treg duke ofruar Sprinter nën marka të ndryshme, duke përfshirë Dodge dhe Freightliner në Amerikën e Veriut.
Gjenerata e tretë, e cila u shfaq në vitin 2018, e çoi Sprinter-in në një nivel edhe më të lartë. Modeli mori sistemin multimedial MBUX, shërbimet telematike dhe sistemet e përparuara të asistencës për shoferin, të cilat e shndërruan atë në një zyrë të lëvizshme.
Gjithashtu, ka modifikime të tjera mbresëlënëse, më shumë se një mijë versione të bazuara në karroceri, lloje shasish, transmisione, tonazh dhe pajisje të ndryshme.
Versioni aktual është i disponueshëm me tërheqje në rrotat e përparme dhe dy lloje ndërruesish, duke përfshirë një ndërrues automatik me nëntë shpejtësi.
Përveç Charleston në SHBA, Sprinter dhe versioni i tij elektrik, eSprinter, prodhohen gjithashtu në fabrikat e vendosura në qytetet gjermane të Düsseldorf dhe Ludwigsfeld.