Agjencia Zhurnal.mk

Merkel dhe Erdogan bëjnë thirrje për reforma në OKB

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se ekziston nevojë urgjente për zbatimin e “reformave gjithëpërfshirëse dhe kuptimplota” në Kombet e Bashkuara (OKB), duke filluar me ri-strukturimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi parë sa joefektive janë mekanizmat ekzistuese globale gjatë kësaj krize (të pandemisë COVID-19). Kjo është aq e vërtetë saqë iu deshën javë, madje muaj, që Këshilli i Sigurimit, organi më themelor i vendimmarrjes i OKB-së, të përfshinte pandeminë në axhendën e saj. Kështu, ne edhe një herë kemi parë drejtësinë e tezës ‘bota është më e madhe se pesë’, të cilën unë e kam mbështetur për vite me radhë nga kjo foltore”, deklaroi presidenti Erdoğan përmes video-lidhjes në seancën e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Duke theksuar rëndësinë e rishqyrtimit të mentalitetit, institucioneve dhe rregullave për të parandaluar humbjen e reputacionit të organizatave ndërkombëtare, Erdoğan tha se fati i njerëzimit nuk mund të lihet në mëshirën e një numri të kufizuar vendesh.

“Ne duhet t’i sigurojmë Këshillit të Sigurimit një strukturë dhe funksionim efektiv, demokratik, transparent dhe të përgjegjshëm. Po kështu, ne duhet të përforcojmë Asamblenë e Përgjithshme, e cila pasqyron ndërgjegjen e përbashkët të komunitetit ndërkombëtar”, tha Erdoğan.

Duke iu referuar nevojave të bashkëpunimit global për problemet globale, të tilla si pandemia COVID-19, presidenti turk tha se bota duhet të përpiqet të përdorë mekanizmat për bashkëpunim shumëpalësh në mënyrën më efektive.

“Kemi qenë në ballë të përpjekjeve për të luftuar pandeminë në takimin e G20-tës, të Këshillit Turk, MIKTA-s, Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe në platforma të tjera”, tha ai, duke shtuar se Turqia ka shtrirë dorën e ndihmës në 146 vende gjatë shpërthimit global.

Erdoğan theksoi se Turqia do të vazhdojë përpjekjet për të shndërruar Stambollin në një qendër rajonale të OKB-së.

Çështjet rajonale dhe globale

Presidenti turk foli edhe për çështje të tjera rajonale dhe globale. Duke iu referuar çështjes libiane, Erdoğan tha se Turqia ka qenë vendi i vetëm me përgjigje konkrete dhe thirrje mbështetëse në ndihmë të qeverisë legjitime të Libisë.

Për sa i përket Jemenit, Erdoğan theksoi se “historia nuk do t’i falë ata që lakmojnë sovranitetin dhe integritetin politik dhe territorial të Jemenit ose që anashkalojnë vuajtjet e vazhdueshme të vendit”.

Ndërkaq për zgjidhjen e çështjeve në programin bërthamor të Iranit, presidenti Erdoğan theksoi se vendi i tij favorizon zgjidhjen përmes diplomacisë dhe dialogut në bazë të ligjit ndërkombëtar.

Në Siri, sipas presidentit turk, “nuk do të ketë zgjidhje të përhershme të çështjes siriane pa miratuar të njëjtin qëndrim parimor dhe vendimtar ndaj të gjitha grupeve terroriste”.

Më tej, lidhur me çështjet e Mesdheut Lindor, Erdoğan përsëriti thirrjen e Turqisë për vendosjen e dialogut dhe bashkëpunimit midis vendeve bregdetare të këtij rajoni. Erdoğan propozoi konferencë rajonale, përfshirë Qipron Turke, ku do të konsiderohen të drejtat dhe interesat e të gjitha vendeve.

Duke folur për çështjen palestineze, Erdoğan bëri thirrje për formimin e një shteti të pavarur dhe sovran të Palestinës të bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet të saj.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri thirrje për reforma të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), raporton Anadolu Agency (AA).

Merkel në video mesazhin me rastin e 75 vjetorit të themelimit të OKB-së theksoi se është domosdoshme të zgjerohet OKB për t’ju përgjigjur sfidave globale të shekullit të 21-të.

“Kur është e nevojshme të merren vendime konkrete, Këshilli i Sigurimit të OKB-ve shpesh parandalohet. Na duhen reforma”, thekson Merkel.

Ajo shtoi se vendi i saj është i gatshëm të ndërmarrë përgjegjësitë në Këshillin e Sigurimit në formatin e zgjeruar dhe se OKB në fund të fundit mund të jetë në gjendje të mirë vetëm nëse anëtarët bien dakord.

Ajo shtoi se për shkak të interesave të vendeve të caktuara, idealet e Kombeve të Bashkuara ndonjëherë neglizhohen.

“Ai që mendon se do të jetë më mirë vetëm, e ka gabim. Mirëqenia dhe vuajtjet tona janë të përbashkëta. Ne jemi një botë”, tha Merkel.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...