Getting your Trinity Audio player ready...
|
Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha se nuk ka më diskutime brenda koalicionit qeverisës për mundësinë e dërgimit të raketave Taurus në Ukrainë.
Në një intervistë për televizionin gjerman ZDF, Merz deklaroi se kjo çështje “aktualisht nuk është në rendin e ditës”.
“Nuk diskutojmë më për këtë temë në koalicion”, tha lideri gjerman, transmeton Telegrafi.
Ai shtoi se çështja e dërgimit të raketave Taurus është “theksuar tepër, sikur të bëhej fjalë për armë pranë pragut bërthamor, dhe kjo nuk është e vërtetë”.
Me këtë, Merz e zbuti dukshëm retorikën krahasuar me periudhën kur si udhëheqës i opozitës mbështeste fuqishëm dërgimin e Taurust, duke u përballur shpesh me kancelarin atëkohë, Olaf Scholz.
Ai theksoi se Britania e Madhe dhe Franca tashmë furnizojnë Ukrainën me raketa të fuqishme, duke sugjeruar se për momentin kjo është e mjaftueshme, edhe pse disa analistë ushtarakë vazhdojnë të mendojnë se Taurus do të ishte i rëndësishëm për përpjekjet ushtarake të Ukrainës.
Merz kritikoi paraardhësit për hapjen e kësaj çështjeje në publik, duke theksuar se një diskutim i tillë i ndjeshëm ushtarak është i dëmshëm sepse, siç tha, “Putini flet mirë gjermanisht dhe mjafton të shikosh lajmet e mbrëmjes për të kuptuar çfarë planifikojnë Gjermania dhe Evropa. Ky është një avantazh strategjik për të, dhe një disavantazh strategjik për ne”.