“Mes Semanit dhe Vjosës” është projekti më i ri që do të zhvillohet në Fier.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau në rrjetet sociale pamje nga ky projekt që synon zhvillimin e zonës bregdetare të plazhit të Darëzezës.
Sipas projektit në Darëzezë do të ndërtohet një pedonale Lungomare, një zonë sportive dhe rekreacioni, struktura akomodimi sezonale, shërbime plazhi, shërbime hotelerie, shërbime gastronomike dhe argëtimit etj.
Pjesë e projektit do të jetë lidhja me qytetet kryesore dhe përfshin krijimin e një tregu për produktet lokale, kamp veror ndërkombëtar, akademi dhe fusha tenisi, akuapark i përmasave ndërkombëtare, fusha e parë e golfit në Shqipëri, park publik si dhe hotele ndërkombëtare buzë detit.
Me përfundimin e këtij projekti plazhi i Darëzëzës do të jetë destinacion për të gjithë vitin.
Bregdeti i Darëzezës në Fier është një nga zonat më të bukura buzë detit Adriatik, me një rërë kurative. Me 18 km vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, qarku i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror.