Agjencia Zhurnal.mk

Mesdheu lindor: “Ky konflikt është shumë, shumë më i madh”

Greqia e Egjipti i vendosën së fundmi me marrëveshje zonat detare. Turqia kërcënon me hapa ushtarakë, sepse i sheh të shkelura interesat e saj. Eksperti gjerman Stephan Roll flet për DW mbi konfliktet e reja në Mesdhe.

Para disa javësh situata në Mesdhe u ashpërsua në mënyrë të rrezikshme. Dukej sikur edhe përballja ushtarake mes Turqisë dhe Greqisë nuk përjashtohej më. Arsyeja: Synimi i Ankarasë për shpime në një zonë detare të pretenduar nga grekët. Ankaraja nga ana e saj paraqiti si arsye një marrëveshje me qeverinë libiane në Tripoli, sipas së cilës, kjo është zonë turke. Të dyja vendet dërguan anijet luftarake në rajon. Përmes ndikimit të kancelares Merkel u ulën disi tensionet, por vetëm për një kohë të shkurtër. Javën e kaluar, Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje, ku përcaktuan zonat e tyre detare ekonomike. Për shkak se ato mbivendosen me zonat ekonomike të pretenduara nga Turqia, Ankaraja kërcënon me mjete ushtarake. Eksperti i Institutit “Shkenca dhe Politika” në Berlin, Stephan Roll shpjegon situatën në Mesdhe

Deutsche Welle: Gati 15 vjet me radhë, Greqia dhe Egjipti kanë negociuar për ndarjen e zonave të ashtuquajtura zona ekskluzive ekonomike, tani gjërat ecën shumë shpejt. Të enjten në Kajro, ministrat e Jashtëm nënshkruan një marrëveshje. Pse ky nxitim?

Stephan Roll: Marrëveshja që u nënshkrua tani lidhet drejtpërdrejt me marrëveshjen e zonave ekskluzive ekonomike që Turqia dhe Libia nënshkruan në nëntor 2019. Greqia dhe Egjipti panë aty një shkelje masive të interesave të tyre. Nuk e di se sa mirë e kanë negociuar marrëveshjen Athina dhe Kajro. Por në fund të fundit bëhej fjalë më shumë t’i tregohej vendi Turqisë.

Vërtet, marrëveshja greko-egjiptiane është vetëm një marrëveshje e pjesshme. Ndarja e tanishme e zonave ekskluzive ekonomike nuk merr parasysh zonat detare në lindje të ishullit grek, Rodos deri tek ishulli më lindor grek, Kastelorizo. Negociatat për këto vazhdojnë. Me se lidhet kjo?

Tani bëhej fjalë që të dërgohej shumë, shumë shpejt një sinjal në drejtim të Ankarasë, që nuk pranohet, kur Turqia i vendos vetë kufijtë detarë. Kjo mund të shpjegojë, pse u nënshkrua tani marrëveshja dhe detajet të trajtohen më vonë.

Jo vetëm mes Greqisë dhe Turqisë, tensione ka edhe mes Egjiptit dhe Turqisë. Përse bëhet fjalë, për rezerva gazi? Për qëllime gjeostrategjike?

Sigurisht në radhë të parë bëhet fjalë për rezervat e gazit. Për Egjiptin ka rëndësi të madhe të ketë qasje aty. Strategjia egjiptiane energjitike synon eksportimin e gazit në masë. Por në të vërtetë ky konflikt është shumë, shumë më i madh. Ai lidhet me puçin ushtarak në vitin 2103 në Egjipt, që u drejtua kundër Vëllazërisë Myslimane në qeverisje. Kajro akuzon Turqinë, se mbështet Vëllazërinë Myslimane, që pjesërisht qëndron. Shumë funksionarë të Vëllazërisë janë në Turqi në ekzil. Udhëheqja e Kajros ndjehet masivisht e kërcënuar nga Turqia, madje pretendohet, se ajo planifikon një kundërpuç. Konflikti aktual ka marrë përmes marrëveshjes së zonave ekskluzive ekonomike libiano-turke dhe angazhimit të Turqisë në Libi një dinamikë të re. Për Kajron është një situatë e re, që Turqia është shumë aktive në Libi, që ka dërguar edhe rekrutë të paguar, që luftojnë në krah të qeverisë në Tripoli kundër gjeneral Haftarit, që mbështetet nga Egjipti. Për Kajron është kërcënuese, që Ankaraja përzihet drejpërdrejt në oborrin e pasmë të saj.

Çfarë pozicionesh përfaqësojnë shtetet e tjera arabe në lidhje me zonat ekskluzive ekonomike në Detin Mesdhe?

Për sa kohë që nuk janë vende bregdetare mesdhetare nuk tregojnë interes. Ato shohin më shumë konfliktin e gjerë. Katari për shembull qëndron qartë në anën e Ankarasë. Turqia ka prezencë ushtarake në vend dhe përveç kësaj Katari mbështetet Vëllazërinë Myslimane. Mbështetësit e Egjiptit, në krye Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndjekin një kurs kritik kundrejt Turqisë. Shtetet afrikanoveriore nga ana e tyre po sillen neutrale, nuk marrin pozicion të drejtpërdrejtë dhe përpiqen që të mbajnë marrëdhënie të mira me të dyja palët.

Zonat ekskluzive ekonomike, për të cilat kanë rënë dakord Egjipti dhe Turqia mbivendosen pjesërisht me zonat ekonomike që pretendojnë Turqia dhe qeveria libiane. A çon kjo në konflikt të armatosur?

Nuk e besoj, se kjo do të çojë në konflikt të armatosur. As Turqia, as Greqia dhe as Egjipti nuk janë për një konfrontim të drejtpërdrejtë, kur edhe fundi i tij do ishte i paditur. As BE, as NATO nuk kanë interes që Turqia dhe Greqia të përplasen. Ka pasur gjithmonë në të shkuarën momente shkallëzimi, që u zbutën. Për momentin këto janë gjeste kërcënuese. Por në rajon asnjëherë nuk e di. Përmes rastësisë diçka mund të marrë udhë, ka disa të shtëna diku dhe zhvillohet një dinamikë më vete. Por seriozisht nuk ka askush interes.

Si reagim pas përzierjes turke në Libi, parlamenti egjiptian i dha dritë të gjelbër presidentit Fatah al-Sisi për marshimin e trupave në Libi. Nuk mund të merret kjo seriozisht?

Po, sigurisht që duhet të marrë seriozisht. Mund ta marr me mend që Egjipti të intervenojë në Libi dhe të stacionojë trupa përtej kufirit. Por më shumë kjo do të bëhet për të mbajtur linjat ekzistuese të frontit. Jo për një strategji ekspansive. Jo për të marshuar në Tripoli dhe për të rrezikuar një konfrontim të hapur më Turqinë. Egjipti do të mbështesë trupat e aleatit të tij, gjeneral Haftarit.

Eksperti i Fondacionit “Shkenca dhe Politika”, Stephan Roll

Kush mund të ndërmjetësojë në konfliktin në Libi? SHBA?

SHBA në sfondin e konflikteve në Mesdheun Lindor nuk ka vendosur ende se në cilën anë do të jetë. Në konfliktin e Libisë në anë të Turqisë dhe kundër Egjiptit e Rusisë apo ndryshe? Përtej kësaj ka edhe një zhvillim të ri. Marrëdhënia mes SHBA dhe Egjiptit nuk është më aq e parënduar, siç ka qenë dikur. Kajro, si Ankaraja, kundër vullnetit të SHBA kanë blerë sisteme ruse armësh. Secili luan lojën e vet dhe nuk i mbetet më besnik strukturave tradicionale të aleancës.

BE duket se nuk e luan dot rolin ndërmjetësues, sepse nuk ka një qëndrim të njësuar ndaj Turqisë. Franca për shembull është pozicionuar qartë kundër Ankarasë. Mundet Gjermania ta marrë këtë rol ndërmjetësues? Do ishte e pranueshme kjo për palët?

E pranueshme po, sepse gjermanët dukshëm nuk kanë interesa të vetat. Pyetja që shtrohet është, nëse Gjermania ka aq peshë, për të arritur rezultate në këtë rajon. Këtë e dyshoj. Le të marrim Procesin e Berlinit, që Gjermania e inicioi për të zgjidhur konfliktin në Libi. Nuk ka më pasues të konferencës. Gjermania nuk mund të ndikonte tek palët në konflikt, me qëllim që ato të respektojnë ujdinë. Gjermania nuk është potente sa duhet. Momentalisht mund të ndihmojë shpejt në një situatë akute, si telefonata e kancelares Merkel me presidentin Erdogan para pak javësh. Kjo ndikoi të mënjanohej përplasja e armatosur mes anijeve greke dhe turke në Egje.

Në konfliktin për përkatësinë e zonave ekskluzive ekonomike në Mesdheun lindor, Izreali hesht. Gjithsesi ky vend ka një marrëveshje zonash ekonomike ekskluzive me Qipron, e me sa duket ka një arranzhim me Libanin dhe Egjiptin, kujt i përkasin cilat zona detare. Përveç kësaj Ankaraja polemizon edhe me Izraelin. Pse qëndron larg grindjes ky vend?

Izraeli është në një situatë të vështirë. Vërtet që Egjipti është bërë një partner gjithnjë e më i mirë. Por kjo nuk lidhet me popullin egjiptian, por qeverinë egjiptiane, shërbimin sekret dhe aparatin ushtarak. Në një plan afatgjatë është shumë e paqartë, se ku do të shkojë Egjipti. Edhe blerja nga ana e Egjiptit e avionëve luftarakë rusë para pak javësh nuk shihet me sy të mirë nga Izraeli. Vendi më interesant për Izraelin në rajon është sigurisht Turqia. Nga ana ekonomike mund të ofrojë më shumë dhe për ekonominë izraelite është më e rëndësishme. Izraeli nuk ka interes që marrëdhënia me Ankaranë të marrë gjithnjë e më teposhtë. Nga ana tjetër Izraeli ka aktualisht shumë probleme të brendshme politike. Për qeverinë ky konflikt që po zien në Mesdhe është në plan të dytë.

Stephan Roll është drejtues i grupit studimor për Lindjen e Afërt, të Mesme dhe Afrikën në Fondacionin gjerman “Shkenca dhe Politika”, institutin analitik më të rëndësishëm gjerman për politikën ndërkombëtare dhe sigurinë.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

S.B.

Lajmet e fundit

Loading...