Presidenti Meta ka folur me tone të ashpra kundër kreut të opozitës Lulzim Basha, teksa u pyet nga gazetarët për qëndrimet e tij ndaj kreut të shtetit, se ky i fundit duhet të qëndrojë brenda pjesës që i takon.
Meta deklaroi se Basha duhet të marrë shembullin e ish presidentit boshnjak Alija Izetbegoviç dhe të tregojë nëse e kanë marrë peng.
-Se ju mund të bëni rolin e kryetarit të opozitës nëse ai bën rolin e kreut të shtetit. A e shihni si një mesazh të z.Basha që ju të mos ndërhyni në rolin e kreut të opozitës?
Ilir Meta: Mbrojtja e Kushtetutës nuk është territor i askujt por detyrë e parë e presidentit të Republikës. Presidenti nuk është vetëm komandant i Forcave të Armatosura, por ushtar i parë i Republikës. Këtë duhet ta dijë kushdo, ka ardhur koha që të verifikuar patriotizmin e çdo politikani, por edhe çdo qytetari. Ta dinë të gjithë që do të marrin përgjigjen siç e meritojnë. Ndërsa atij zotërisë, i them, bëj atë që bëri IzetBegoviç-i, kur e morën peng, thuaj që jam peng dhe vazhdo punën tënde! Se këtë popull nuk e merr dot njeri peng.
Kujtojmë se pak ditë më parë në njërën prej konferencave me gazetarët, Basha u pyet për rolin e Presidentit dhe nëse sipas mendimit të tij, Meta kishte marrë atributet e kryetarit të opozitës, një akuzë që shpesh e adreson kryeministri Rama ndaj kreut të shtetit. Si përgjigje, Basha tha:
“Vetëm nëse mendoni se unë kam marrë përsipër rolin e presidentit të Republikës. Ai është në rolin e tij. Beteja jonë për standardet zgjedhore ka qenë betejë e përditshme dhe do të jetë, ndaj nuk mund t’i vendoset krizës shëndetësore dhe ekonomike që po bëjnë kërrdinë në xhepat e shqiptarëve”