Shkup, 13 nëntor – Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka pritur në takim Gjeneralin amerikan Wesley K. Clark, tashmë Qytetar Nderi i Komunës së Çairit. Në takim në zyrën e tij, Mexhiti i ka shprehur Gjeneralit amerikan respektin e thellë që populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut ndjen ende për të, njësoj si në vitin 1999, kur ai, si komandant i operacioneve të NATO-s në Kosovë, u bë simbol i qëndresës dhe shpresës për ne, duke luftuar kundër mizorive të regjimit të Sllobodan Millosheviçit.
Postimi i plotë i Izet Mexhitit:
Gjithmonë është kënaqësi e madhe të takohem me një njeri të cilit i kemi një borxh të madh, një mik të vërtetë të popullit tonë.
Sot pata nderin të mirëpres në zyrën time Gjeneralin amerikan Wesley K. Clark, tashmë Qytetar Nderi i Komunës së Çairit, apo siç e quajmë ne, Shkupit të Vjetër.
E prita me përzemërsi dhe i shpreha respektin e thellë që populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut ndjen ende për të, njësoj si në vitin 1999, kur ai, si komandant i operacioneve të NATO-s në Kosovë, u bë simbol i qëndresës dhe shpresës për ne, duke luftuar kundër mizorive të regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Roli i tij atëherë dhe ndikimi që pati janë të gdhendur në historinë moderne të popullit tonë.
Ashtu si atëherë, edhe sot partneriteti mes popujve tanë është i fortë dhe i përhershëm, një lidhje që i reziston kohës dhe sfidave.
Mirë se vjen në shtëpinë tënde, gjeneral Clark!