Forcat e sigurisë në Mianmar, kanë shtënë sërish me armë zjarri ndaj protestuesve kundër puçit ushtarak, më 5 mars, duke lënë të vdekur dy persona dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë.
Sipas të dhënave të javës së kaluar të Kombeve të Bashkuara, forcat e sigurisë kanë vrarë më shumë se 50 persona në protestat dhe grevat kundër puçit të një shkurtit.
Në fotografitë e publikuara në rrjetin social Facebook janë parë trupat e dy burrave të shtrirë në qytetin verior Myitkyina. Dëshmitarët kanë thënë se kanë qenë pjesë e protestës kur kanë dëgjuar granatat dhe gazin lotsjellës.
Shumë persona janë qëlluar më pas me armë zjarri nga ndërtesat në afërsi. Ende nuk është bërë e qartë kush ka shtënë ndaj protestuesve, ndonëse si policia, ashtu edhe ushtria, kanë qenë në protesta, kanë deklaruar dëshmitarët.
Të paktën nëntë sindikata nga sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimtarinë, bujqësinë dhe prodhimin, u kanë bërë thirrje njerëzve që të mos punojnë dhe të kthejnë mbrapsht puçin, për të kthyer qeverinë e zgjedhur të lideres Aung San Suu Kyi. Ushtria ka njoftuar se të dielën ka arrestuar 41 persona.