Shkup, 9 maj 2024 (MIA) – Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se së shpejti do të fillojnë negociatat me partitë opozitare për koalicionim dhe tha se është i bindur se do të formojnë Qeveri në një kohë sa më të shkurtër dhe se procesi do të jetë transparent.
Pas rezultateve të para jozyrtare nga 3.270 vendvotime, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka fituar 59 mandate. Mickoski deklaroi se rezultatet e punës së tyre do të ndihen që në 100 ditët e para të formimit të qeverisë.
“Jemi në një fazë të avancuar të bisedimeve për një pako të fortë investimi që do të ndihmojë ekonominë. Këtë nuk desha ta shpall para fushatës për të mos u politizuar e njëjta, por prisni që në 100 ditët e para shumë lajme të mira për qytetarët dhe ekonominë e Maqedonisë”, shtoi ai.
Në konferencën e sontme për media në selinë e partisë, Mickoski theksoi se sonte janë mposhtur “krimi, korrupsioni dhe paaftësia”.
“Janë mposhtur edhe tradhtitë, përçarjet, ata qindra njerëz nga BDI dhe LSDM që mendonin se janë zotër të jetëve tona. Ata sot kanë dhembje koke, ka pse. Do të përgjigjen deri te i fundi. Secili që ka kryer krim dhe ka kryer korrupsion duhet të mbajë përgjegjësi që do të bazohet në drejtësi dhe ligje”, tha Mickoski duke shtuar se është triumfuar ndaj bojkotit të BDI-së.
Sipas tij, populli tregoi se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe të mbrohen përmes institucioneve.
“Populli iu dha leksionin më të rëndësishëm dhe e shpëtoi vendin e tij. Kjo gjeneratë ka mundësinë unike për të krijuar një kapitull të ri në të cilin Maqedonia do të jetë krenare dhe Maqedonia do të jetë e juaja dhe do të ketë një të ardhme që do të bazohet në vlera dhe shpresë. Do ta kthejmë shpresën dhe sonte kemi arsye për të festuar”, tha ai.
Lidhur me fitoren jozyrtare të kandidates së tyre për presidente të vendit, Gordana Siljanovska Davkova, Mickoski tha se beson se ajo do ta kthejë dinjitetin e Maqedonisë.
“Kjo është një fitore e dyfishtë. Koalicioni ‘Maqedonia jote’ dhe VMRO-DPMNE qëndruan dhe fituan president, ajo është profesoresha Gordana Siljanovska Davkova. Qëllimi i saj do të jetë të rikthejë dinjitetin dhe ta bëjë Maqedoninë sërish krenare. Unë besoj në këtë. E njoh atë dhe jam i sigurt se Maqedonia do të jetë sërish krenare së bashku me Gordana Siljanovska Davkovën si presidente. Unë besoj në kapacitetet e saj dhe e di se me vyrtyt dhe vendosmëri do t’i shërbejë popullit dhe atdheut”, tha ai.
Kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova është fituese në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Pas numërimit të 95 për qind të votave, Siljanovska Davkova fitoi 524.658 vota (65,04%), ndërsa kundërshtari i saj Stevo Pendarovski nga LSDM 236.222 (29,29%).
Nga votat e numëruara në 3.270 vendvotime, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE fitoi 59 mandate në përbërjen e re të Kuvendit. Pas tij qëndron koalicioni i udhëhequr nga LSDM me vetëm 19 mandate, ndërsa koalicioni “Fronti evropian” i udhëhequr nga BDI ka 18 mandate parlamentare, koalicioni VLEN 13, “E Majta” gjashtë dhe partia ZNAM pesë mandate parlamentare, kumtoi sonte Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.