Shkup, 26 shkurt – Kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë ekskluzive në Alsat edhe njëherë shprehu qëndrimin e tij rreth punësimeve duke nënvizuar se në të ardhmen nuk do të ketë punësime në baza partiake e as etnike, por punësime në bazë të kualitetit.
“Nuk do të ketë punësime etnike e as partiake. Vlerësoj se duhet ta tejkalojmë atë çështje kur kemi funksionuar në bazë partiake, duhet të shohim kualitetin dhe jo aspektin partiak
“Pavarësisht nëse është shqiptar, turk, serb, rom, maqedonas e të ngjashme, besoj se duhet ta tejkalojmë atë çështje kur kemi vepruar sipas parimit si më parë dhe duhet të merret parasysh cilësia. Sepse nëse duam të ecim përpara duhet të shikojmë cilësinë, e jo rekomandimin partiak”, tha Mickoski.
Kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur rreth akuzave të opozitës ndaj zëvendësit të tij, Izet Mexhiti, tha se ishin të pabaza dhe se duhej t’i dorëzoheshin prokurorisë.
“U thash në rast se keni dëshmi dorëzojini, atë që ata e dorëzuan nuk kishte asgjë thelbësore, andaj edhe kjo çështje përfundoj ashtu siç përfundoi…”, tha Mickoski.
Ai theksoi se raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritarë janë të mira dhe se ky koalicion qeverisës punon në interes të qytetarëve.
“Raportet në koalicion janë të forta, koalicioni punon në interes të qytetarëve. Qëllimi i koalicionit është interesi i qytetarëve”, tha Mickoski.
Ndërkohë i pyetur nëse do të pranonte një ndryshim të mundshëm të stemës shtetërore në një pako me ndryshimin e himnit shtetëror dhe heqjen e 20%, Mickoski tha:
“Nuk mund të pranoj pako apo të mos e pranoj, kur një temë e tillë nuk është vënë në tavolinë për diskutim, apo ka qenë objekt diskutimi”.