Ministra të ri, energji e re, ndryshimet në Shëndetësi kanë filluar të shihen!

nga I.A

Shkup, 8 korrik – Jo rastësisht thuhet që rotacionet politike shërbejnë në demokracinë e vendit pasi në skenën politike vijnë figura të reja me energji të madhe që bëjnë punë të mira për ta dëshmuar veten dhe për ta vërtetuar ndryshimin. Mbase, figura e Taravarit nuk është e re është e njohur për publikun por më shumë si figurë opozitare. Dhe, tani në këtë qeveri ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka deklaruar se Qeveria ka marrë vendim me partneritet publiko-privat që në zonën e Qendrës Klinike në Shkup të ndërtohen dy garazhe në kate për të kapërcyer problemin e parkimit. Për këtë, thotë ai, është përgatitur një studim fizibiliteti dhe do të sigurohen trefish më shumë vende parkimi. Ky vendim është i nevojshëm qysh një kohë të gjatë kaosi dhe pritjet e gjata ishin ngarkesë e rëndesë psiqike për pacientët e familjarët, shkruan Zhurnal.

Zgjidhet probleme dekadësh në Klinikën Nënë Tereza –

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari deklaroi se Qeveria ka marrë vendim me partneritet publiko-privat që në zonën e Qendrës Klinike në Shkup të ndërtohen dy garazhe në kate për të kapërcyer problemin e parkimit. Për këtë, thotë ai, është përgatitur një studim fizibiliteti dhe do të sigurohen trefish më shumë vende parkimi.

“Garazhe montuese në kate dhe vend parkingje me te organizuara që do të jenë me partner privat. Ata do të paguajnë bileta, normalisht një orë si kudo tjetër, ndërsa pacientët dhe mjekët që punojnë aty do të kenë vende parkimi se sa kanë tani”, tha Taravari në Temën e ditës në TV Sitel.

Ministri, i cili ishte në vizitë në Klinikën e Onkologjisë, tha se është biseduar që së paku një pjesë e pacientëve ta marrin terapinë në “8 Shtatori”, në Tetovë dhe Manastir.

“Të shohim disi që të mos vijnë një numër i madh i pacientëve në Shkup sepse edhe atje janë të kufizuara kapacitetet e onkologjisë. Dhe mora një informacion që është i tmerrshëm. Do të më duhet të ulem me ministren e Financave para ribalancimit të parë të buxhetit. Na mungojnë një numër i madh infermierësh, e kam fjalën për onkologji, teknikë radiolog, fizikantë dhe mjekë, të shohim të hënën do të ulem me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë për të bërë një lloj strategjie për specializimet”, tha Taravari.

Ministri paralajmëroi se do të fillojë një iniciativë e përgjegjësisë se pse nuk po përdoren akseleratorët e blerë në “8 shtator” në Shkup dhe në spitalin e Shtipit.

“Absolutisht, duhet të kërkojmë, nëse nukkërkojmë atëherë edhe ne jemi fajtorë. Le të shohim të niset një iniciativë. Si do të përfundojë nuk e di dhe nuk do të doja të flas”, tha Taravari.

Ministri ka vizituar sot edhe Institutin e Patologjisë, ku siç tha ai, janë vetëm 11 mjekë patologë dhe për këtë arsye kaq shumë vonohen rezultatet.

“Në të gjithë vendin janë 40 mjekë patologë, që është një numër shumë i vogël, tha Taravari dhe shtoi se duhet gjetur një mënyrë për të motivuar mjekët e sapodiplomuar që të specializohen në radiologji, për shembull onkologji.

Ai ka konfirmuar se po mendohet rritje e pagave të mjekëve, por thotë se nuk është vetëm vullnet i mirë i ministrit. Ai paralajmëroi rritje graduale të pagave. Ministri i Shëndetësisë theksoi se javën e ardhshme ndryshimet në ligjin e shëndetësisë që shfuqizojnë drejtorët ekonomikë do të shkojnë në Kuvend, për dy deri në tre javë ai do të udhëtojë në Slloveni për të parë përvojën e bashkimit të qendrës së tyre klinike dhe gjithashtu për dy deri tre javë do të publikohet lista e re pozitive e ilaçeve, e cila do të rinovohet çdo vit.

Ministria e Shëndetësisë ka një rëndësi të veçantë, nevoja për një Qendër të re Klinike është e padiskutueshme –

Ministria e Shëndetësisë vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, por që në krye të së cilës vendosen persona që pak i kushtojnë rëndësi këtij institucioni. Qytetarët kanë nevojë të dukshme që të kenë siguri shëndetësore, që MSH të kujdeset në mënyrë të angazhuar për përmirësim të cilësisë për shërbimet që ofrohen në spitalet e vendit.

Qytetarët janë të bindur se ka edhe më shumë skandale financiare, krahas atij për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup, por është çështje kohe deri sa të zbulohen, se buxheti i shtetit keqpërdoret e nuk menaxhohet në formën e duhur tashmë janë dëshmitarë të gjithë qytetarët.

Se si menaxhohet buxheti në institucione të veçanta është shumë e lehtë të shihet gjendja reale dhe kuptohet qartësisht. Ta zëmë se kemi dilema në atë se si menaxhohet buxheti nga Shëndetësia, duke lënë anash këto skandale financiare, kuptohet me një vështrim të lehtë e të thjeshtë duke parë gjendjen katastrofale të spitaleve në vend, duke kujtuar situatën me pandeminë që në vend nuk kishte kapacitete të mjaftueshme për të ofruar shërbimet e duhura.

Megjithatë, nëse premtimi për ndërtimin e Qendrës së re Klinike do të ishte realizuar deri më tani, qytetarët do të trajtoheshin në një Qendër të re Klinike, me kushte moderne e në mënyrë efikase, e me automatizëm do të ishte eliminuar edhe problemi apo kaosi me parkingun në Qendrën aktuale Klinike, sepse qytetarët do të kishin edhe një vend tjetër për trajtim,

Situata me pandeminë më lehtë e më mirë do të ishte menaxhuar sepse kishte pasur kapacitete të mjaftueshme, si kadrovike ashtu edhe me shtretër. Mbase, kriza shëndetësore me pandeminë dha përgjigjen e qartë se në çfarë gjendje të mjerueshme është shëndetësia në vend. Por, edhe dy vite më vonë asgjë nuk ndikon pandemia që shëndetësia të përgatitet për situata të paparashikuara dhe të jetë në gjendje për të ofruar ndihmën e nevojshme për qytetarët e këtij vendi. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More