Getting your Trinity Audio player ready...
|
Shkup, 17 maj – Ministria e Administratës ende nuk e ka publikuar raportin vjetor të Regjistrit për të punësuarit në sektorin publik, të cilin tradicionalisht e publik në fillim të muajit prill. Raporti pritet me interes të veçantë, pasi krahas numrit të punësuarve në administratë, në raport duhet të pasqyrohet edhe përfaqësimi i etniteteve.
Nga Ministria e Administratës, vonesën e publikimit të këtij raporti e arsyetojnë me avancimin e sistemit për menaxhim me burime njerëzore. Aktualisht, thonë se raporti është në fazë finale, ndërsa qëllimi është që të publikohen të dhëna cilësore dhe precize.
Megjithatë, tani për tani nuk dihet se si do të pasqyrohet përfaqësimi etnik në administratë, në kushte kur Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar Balancuesin, apo mekanizmin e vetëm që ka mbajtur llogari për përfaqësimin e komuniteteve në administratë. Kjo, bëhet plotësisht problematike, pasi sipas udhëzimeve të Gjykatës Kushtetuese, tanimë 7 muaj punësimet në administratë realizohen pa grafën e përkatësisë etnike.
Megjithatë, ministri i Administratës Goran Minçev, por edhe përfaqësuesit tjerë qeveritar në disa dalje publike të tyre, kanë theksuar se po respektohet parimi i përfaqësimit të drejtë të komuniteteve pasi ajo parashikohet me Kushtetutë.
Por Avokati i Popullit, i cili gjithashtu mbledh të dhëna për përfaqësimin e etniteteve në administratë, ka alarmuar se ka informacione se gjatë kësaj periudhe punësimet janë bërë pa respektimin të përfaqësimit të drejtë të komuniteteve.
“Informacionet tona flasin se veç më ka devijime nga ky përcaktim, ku nuk respektohet kjo e drejtë dhe prandaj apeloj deri te Qeveria dhe deri te Parlamenti që sa më shpejtë të tejkalohet kjo zbrazëtirë juridike, të sillet ligji aq i proklamuar për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe me këtë të pamundësohet procesi i deformimit të implementimit të përcaktimit kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Informacionet vijnë nga gati të gjitha organet e administratës shtetërore, duke filluar nga ministritë, drejtoritë, dhe entet e ndryshme”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Ndërkohë, Qeveria vazhdon të zvarrit zgjidhjen e kësaj problematike, duke premtuar se e njëjta do të bëhet nëpërmjet një ligji, që duhet ta zëvendësojë Balancuesin. Megjithatë, do të jetë sfidë edhe çështja e zgjidhjes ligjore, sidomos, duke e pasur parasysh udhëzimin e Gjykatës Kushtetuese që të mos kërkohet përkatësia e kandidatëve gjatë punësimit dhe të mos mbahet evidencë për të njëjtën. Partitë në pushtet premtojnë se këtë do ta tejkalojnë nëpërmjet Komisionit të Venecias, ku duhet ta dërgojnë ligjin për mendim, para se të votohet në Kuvend.
Një ndër arsyet e shfuqizimit të Balancuesit, përmendeshin e keqpërdorimit të përkatësisë etnike, respektivisht kishte raste kur qytetarët rrejshëm paraqiteshin si pjesë e një komuniteti tjetër vetëm për t’u punësuar. Nga ana tjetër, shteti nuk ka pasur mekanizma ligjor për ta parandaluar këtë keqpërdorim. Kritika ka pasur edhe për qasjen e përparësisë së përkatësisë etnike para cilësisë së kandidatëve.